Ambasadori italian në Prishtinë, Antonello De Riu ka pranuar fanellën me nënshkrimin e kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani, i cili njëherazi është edhe lojtar i kampionit të Italisë, Napoli.
Rrahmani u prit në ambasadën italiane në Prishtinë nga De Riu dhe stafi i tij.
“Në ambasadën italiane, e patëm kënaqësinë të mirëpresim kapitenin e Kosovës, dhe mbrojtësin e Napolit, Amir Rrahmanin. Urime për Scudetton e shumëmerituar dhe gjitha të mirat me Kosovën në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian”, thuhet në njoftimin e kësaj ambasade.
Rrahmani u shpall kampion me Napolin në Itali, teksa me Kosovën do të luajë dy ndeshje, fillimisht ndaj Rumanisë të premten dhe tre ditë më vonë ndaj Bjellorusisë.