Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se nuk është momenti i duhur për t’u mbajtur zgjedhjet në komunat veriore në Kosovë më 23 prill.
Po ashtu, ai u shpreh se ShBA-ja është duke i shqyrtuar dhe vëzhguar të gjitha aspektet e zgjedhjeve që do të mbahen të dielën.
“Jo vetëm vendi im, por edhe shumë të tjerë, besojnë se nuk është momenti i duhur për t’i mbajtur ato, duke qenë se aktualisht jemi në një moment kritik, në një moment domethënës për dialogun që po zhvillohet. Ne besojmë se të gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut”, tha Hill pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, raporton mediumi serb “Blic”.
Ai shton se koha më e mirë për të folur për zgjedhjet është kur të kenë mbaruar, dhe kur të shohim “çfarë ka ndodhur në të vërtetë”.