26.9 C
New York
Saturday, August 16, 2025

Buy now

Ambasadori i Finlandës: Kosova ka përparuar, por i duhet unitet, institucione funksionale

- Advertisement -

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, ka dhënë një intervistë lamtumirëse për Radio Televizionin e Kosovës, në përfundim të mandatit të tij diplomatik. Ai theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës për Kosovën dhe shprehu optimizëm për të ardhmen e saj drejt integrimeve euroatlantike.

“Jemi dëshmitarë të një situate sfiduese politike në Kosovë. Shpresoj që bllokada aktuale të tejkalohet sa më shpejt, sepse është në interesin e të gjithë qytetarëve,” tha ambasadori Nissinen. Ai nënvizoi se, pavarësisht sfidave, Kosova ka bërë përparim dhe se ai mbetet optimist për të ardhmen e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Ambasadori përmendi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, duke kujtuar trashëgiminë e ndërmjetësimit të Martti Ahtisaarit dhe përkushtimin afatgjatë të Finlandës ndaj Kosovës. “Gjatë mandatit tim, kam dashur të sigurohem që bashkëpunimi bilateral të jetë gjithëpërfshirës. Kemi investuar shumë në përmirësimin e tregtisë dhe në ndarjen e përvojave rreth integrimeve,” shtoi ai.

Ai  foli edhe për rolin e Finlandës në mbështetjen e Kosovës për integrimin në BE dhe NATO.

“Jemi përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës dhe këtë do ta bëjmë në çdo vend, në kryeqytet evropiane, në Bruksel dhe në çdo lloj nivelesh..Kemi ndarë përvojat tona për ndërtimin e kapaciteteve institucionale që i nevojiten një shteti në rrugëtimin e tij drejt anëtarësimit”, tha ai.

Ai vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka marrë hapa pozitivë, veçanërisht në aspektin ekonomik dhe në raportet vjetore që tregojnë përparim të qartë. Megjithatë, Nissinen bëri thirrje për konsensus të brendshëm kombëtar, sidomos për strategjinë e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Duhet të ketë konsensus kombëtar që për momentin nuk po funksionon. janë prioritet strategjike të shtetit dhe këto kërkojnë unitet.  Populli dëshiron që vendi të jetë pjesë e këtyre organizatave dhe i mbetet liderëve politikë që ta kthejnë këtë në realitet”, tha ai.

Në lidhje me bllokadën politike në Kuvend, ambasadori tha qytetarët e Kosovës meritojnë institucione funksionale. “Me vullnet politik, zgjidhja mund të arrihet shpejt.”

Nissinen foli edhe për situatën në RTK, ku mbi 700 punonjës nuk janë paguar për muajin korrik.

“Kur një person punon, duhet të kompensohet për punën e tij. E kuptoj sa e vështirë është kjo situatë sfiduese për punëtorët dhe familjet e tyre. Shpresoj që të gjendet një marrveshje sa më parë, që njerzit të vazhdojnë ta bëjnë atë punë tejet të rëndësishme që po bëhet për çdo ditë në RTK”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit