Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, nuk ka pranuar të komentojë shumë për përgjimet e publikuara nga gazeta Nacionale ku dëgjohet deputetja Kusari-Lila e Slavko Simiq.
Në këto përgjime, konfirmohet edhe komunikimi i shefes së deputetëve të VV-së, Kusari-Lila me politikanin famëkeq, Milan Radojiçiq.
Ambasadori Hovenier ka thënë se nuk mund të ofrojë shumë komente, por ka kujtuar se Radojiçiq është në listën e zezë të Amerikës.
“Nuk mund të flas shumë për këtë, liderët politikë në Parlament kanë komunikim me të gjitha palët. Por Radojiçiq ju e dini se është në listë të zezë të ShBA-së”, tha ambasadori Hovenier, raporton RTV Dukagjini.
Këto deklarime ai i bëri pas hapjes së zyrave të reja të qendrës “Bonevet” në Pejë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se e ka të vështirë të thotë se janë afër arritjes së një zgjidhje për situatën në veri.
Megjithatë ai tha se deeskalimi i situatës në veri duhet të ndodh sa më shpejtë që të jetë e mundur.
“Do të thosha që SHBA-ja mbetet e përkushtuar siç ka qenë gjithmonë që ta shohë Kosovën duke arritur qëllimet e veta. Ajo që dua të them është se ne jemi prapa një Kosove sovrane, të pavarur, multietnike demokratike që zë vend në strukturat evropiane e euroatlantike. Po bëjmë punë të madhe për këtë. Kjo po ashtu nënkupton që Kosova ta ushtrojë sovranitetin e saj. Veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës menaxhon situatën është shumë e ndjeshme dhe duam të jetë shumë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë që të shmangen momentet e krizës që pengojnë rrugën tonë të gjatë për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, ka thënë ai.