Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se ekziston rrezik i madh që të huajt të krijojnë protektorat “de facto” dhe “de jure” mbi veriun e Kosovës.
Hovenier këtë e kishte thënë përpara një jave, në një prononcim për mediumin ‘European Western Balkans’, teksa përmendi rastin më të keq Palestinën dhe rastin më të mirë Qipron, përcjell Gazeta Insajderi.
“Më shumë trupa të NATO-s në Kosovë do të thotë më shumë trupa të huaja, që do të thotë më pak fuqi dhe autoritet për Kosovën. Më shumë prani e huaj në Kosovë do të thotë më pak mundësi për popullatën vendase dhe shqiptarët që të marrin vendimet e tyre”, deklaroi Hovenier.
Ai theksoi se SHBA-të i kishin parashikuar pasojat e vendimit për të vendosur me forcë kryetarët në objektet komunale të katër komunave me shumicë serbe dhe SHBA-ja, si aleate e fortë e Kosovës, e kishte “këshilluar fuqishëm” kryeministrin Albin Kurti që të ndryshojë drejtimin e tij, por këshilla u shpërfill.
Deklarata e ambasadorit Hovenier u komentua edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë të organizuar të enjten, 8 qershor, duke theksuar se është “i shqetësuar me mundësinë e tkurrjes dramatike të Kosovës në sytë e aleatëve”.
“Për këtë jam i shqetësuar. Gjë që mund të sjell pasojat e pallogaritshme në shumë aspekte. Duke filluar nga pasoja e rritjes së numrit të trupave në Kosovë që do të thotë ulje e kapacitetit sovran të Kosovës, psh. Ose, gjë që do të thotë humbje e Kosovës në aspektin e humbjes së një shansi, një mundësie për të integruar plotësisht veriun në jetën e vet institucionale duke hapur rrugën që veriu të kalojë nën kontrollin e trupave të huaja. Që do të ishte një gjë e tmerrshme nga pikëpamja e interesave tona” tha Rama