Në një intervistë për Top Channel, Hill ka hedhur poshtë kategorikisht narrativën e njohur se arrestimi i Fatos Nanos në vitin 1993 u krye me miratimin apo mbështetjen e SHBA-së.
Pas zgjedhjeve të vitit 1992, ku Partia Demokratike erdhi në pushtet, një vit më vonë lideri socialist Fatos Nano u arrestua – një ngjarje që prej vitesh është shoqëruar me interpretimin se gjithçka u bë me “bekimin amerikan”.
Por Hill e quan këtë version plotësisht të pavërtetë.
“Jo, aspak. Mund të them me siguri sepse isha këtu deri në verën e vitit 1993 – dhe kjo është 100% gënjeshtër. Unë isha këtu. Dhe kurrë, askund, nuk kam dëgjuar që një ambasador amerikan të thotë: ‘Vendoseni në burg.’”, deklaroi ai.
Ai theksoi se një narrativë e tillë më shumë i shërben retorikës anti-amerikane sesa së vërtetës historike.
“Nuk ka asgjë të bëjë me ne, sigurisht që jo. Edhe pse pas largimit tim nuk mund të them çfarë ka ndodhur më pas, dyshoj shumë. Mendoj se disa njerëzve u interesonte të thoshin se Nano u burgos për shkak të amerikanëve – por kjo është vetëm një deklaratë anti-amerikane”, u shpreh Hill.
Diplomati i njohur, i cili ndoqi nga afër vitet e para të tranzicionit politik në Shqipëri, nënvizoi se SHBA-të nuk kanë pasur asnjë rol në vendimin për arrestimin e Nanos, duke i dhënë fund një prej miteve më të qëndrueshme të politikës shqiptare të viteve ’90.






