Ambasadori i ShBA-së në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se tani çështja nuk është nëse do të ketë apo jo Asociacion të Komunave Serbe, por si do të funksionojë dhe si do të zbatohet.
Megjithatë, duke folur për një marrëveshje mes Kosovës-Serbisë, ai u shpreh se nuk është shumë i mirë për të parashikuar të ardhmen.
“E kam mjaft të vështirë të shpjegoj të kaluarën. Shpresoj që të ndodhë sa më shpejt. Por shpresoj sa më shpejt. Shpresoj që njerëzit që vendosën barrikada do t’i heqin të njëjtat barrikada dhe do të vazhdojnë me procesin politik, me tensione të reduktuara, një situatë më paqësore, në mënyrë që t’i zgjidhim çështjet që janë shumë të rëndësishme”, shpjegoi ai për mediumin serb ‘Nova.rs’.
Sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila është kundërshtuar nga krerët e institucioneve në Prishtinë, Hill përmendi deklaratën e të dërguarit të ShBa-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Hill citoi duke thënë se për asociacionin ka pasur dakordancë mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit dhe kësisoj ajo mbetet një kusht.
“Për shembull, si do të funksionojë Bashkimi i Komunave Serbe. Zoti Escobar (Gabriel) tha shumë qartë se do të ndodhë, se është rënë dakord më herët dhe mbetet një kusht. Tani çështja nuk është nëse do të ketë apo jo Bashkësi të Komunave Serbe, por si do të funksionojë dhe si do të zbatohet”, shtoi ai.