Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se pajtohet me këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, i cili tha se është koha e fundit që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të zbatohen në shpejtësi, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Rohde, përmes një postimi në Twitter, shkroi se Kosova ende nuk ka prezantuar ndonjë propozim lidhur me krijimin e Asociacionit.
Ambasadori gjerman gjithashtu shkroi edhe në lidhje me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
“Plotësisht dakord me Chollet se është koha e fundit që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të zbatohen me shpejtësi, duke përfshirë krijimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën. Ende nuk ka propozim nga ana e Kosovës për këtë”,shkroi ai.
“Largim i serbëve nga institucionet nuk është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit. Kthimi i menjëhershëm është i nevojshëm dhe duhet të lehtësohet nga të gjithë. Dua të nënvizoj se BE dhe SHBA janë plotësisht në linjë këtu!”, shtoi Rohde.