Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot ka thënë se vendi s’i ka përmbushur ende të gjitha kushtet për heqjen e masave.
Në një intervistë për “Telegrafin”, ai ka deklaruar që duhet të bëhen të gjitha përpjekjet, sidomos mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri.
Ai ka thënë se vetëm në këtë mënyrë, në raportin e ardhshëm të Bashkimit Evropian mund të shihet se janë plotësuar kushtet për heqjen e masave.
“Ju referoj në deklaratën evropiane të Bratislavës më 3 qershor: jo të gjitha kushtet janë përmbushur. Është e rëndësishme që shpejt të bëhen përpjekjet e nevojshme, po mendoj në veçanti organizimin e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, në mënyrë që në raportin e ardhshëm të BE-së të shihet se janë plotësuar kushtet për heqjen e masave. Ka një dritare mundësie për t’u shfrytëzuar përpara rinovimit të institucioneve evropiane. Kjo do t’i mundësonte ekipit të ardhshëm të fokusohet në çështje të tjera të rëndësishme për Kosovën. Dinamika aktuale e zgjerimit është një mundësi për t’u shfrytëzuar. Kosova e ka vendin e saj brenda BE-së dhe tani është koha për të bërë përpjekjet e nevojshme për ta konfirmuar atë.” – ka thënë ai.