0.4 C
New York
Sunday, January 18, 2026

Buy now

Ambasadori britanik: Në vitin 2026 duhet të formohet Asociacioni, kompromisi esencial për krijimin e qeverisë së re

- Advertisement -

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë me shkrim për Gazetën Express e ka cilësuar vitin 2025 si “vit të çuar dëm” për Kosovën, duke e lidhur drejtpërdrejt mungesën e përparimit politik dhe institucional me pamundësinë për të shtyrë përpara dialogun me Serbinë dhe agjendën euroatlantike të vendit

Sipas tij, ngërçi i brendshëm politik dhe vonesat në formimin e institucioneve funksionale kanë prodhuar pasoja reale për stabilitetin, qeverisjen dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës.

Hargreaves, ambasadori britanik në Kosovë thotë se Kosova ka sfida të rëndësishme përpara dhe se Mbretëria e Bashkuar pret shpejt formimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kjo, siç vëren ai, do të kërkojë bashkëpunim dhe kompromis mes subjekteve politike. Në vitin që po vjen, ai pret përparim në dialogun me Serbinë, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Intervista e plotë:

 Si e vlerëson Mbretëria e Bashkuar fazën aktuale të dialogut Kosovë–Serbi? / Cilat janë pritjet tuaja konkrete nga palët në vitin 2026? / Çfarë roli mendoni se duhet të luajë bashkësia ndërkombëtare për t’i rikthyer palët në tavolinën e dialogut?

J.Hargreaves: E kam quajtur vitin 2025 “vit të çuar dëm” për Kosovën. Mosgatishmëria e politikanëve të saj për t’i bërë marrëveshjet e nevojshme për ta formuar një qeveri funksionale e ka penguar Kosovën në shumë fusha, përfshirë në bërjen e një përparimi në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Mbretëria e Bashkuar vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun, sepse, ndonëse mund të jetë sfidues, është esencial për stabilitetin afatgjatë në rajon. Në anën tjetër, ai është esencial për përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së, NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare të tjera.

Në vitin 2026, ne presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe t’i zbatojnë marrëveshjet ekzistuese – duke përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – në mirëbesim, dhe t’u japin përparësi hapave praktikë që e përmirësojnë jetën e të gjitha komuniteteve. Por, për më tepër, këto marrëveshje janë themeli i shtetësisë së Kosovës dhe rruga për ta zgjidhur statusin e saj me shtetet që ende nuk e kanë njohur atë. Komuniteti ndërkombëtar duhet dhe do të mbetet aktivisht i përfshirë, duke ofruar mbështetje politike dhe stimuj të qartë për progres. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta konsiderojë këtë si thelbësore për partneritetin tonë me Kosovën. Por bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta dëshirojë një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve më shumë se vetë vendet në dialog – përgjegjësia për përparimin bie kryesisht mbi supet e politikanëve të të dyja vendeve.

 Cili është mesazhi juaj për procesin zgjedhor të 28 dhjetorit

J.Hargreaves Kosova e ka një të kaluar mbresëlënëse me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shpresoj që procesi zgjedhor i 28 dhjetorit të jetë i qetë dhe transparent dhe të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet demokratike. Zgjedhjet janë gurthemel i demokracisë së Kosovës, ndërsa është jetike që të gjithë akterët – institucionet, partitë politike dhe qytetarët – ta luajnë rolin e tyre për ta garantuar kredibilitetin dhe drejtësinë e tyre. Udhëheqësitë e Komisionit Qendror e Zgjedhjeve, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme kanë luajtur role jetike për garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore që janë mbajtur deri më tani, ndërsa unë dua që t’i falënderoj për këtë.

Mbi të gjitha, shpresoj që këto të jenë zgjedhjet e fundit për një kohë më të gjatë! Kosova ka nevojë për një qeveri stabile dhe të vendosur, e jo për një cikël të mëtejmë të pasigurisë zgjedhore. Mesazhi im për partitë politike është i qartë: Çfarëdo që të jetë rezultati, bashkëpunimi dhe kompromisi do të jenë esencialë për ta bërë të mundur formimin e shpejtë të institucioneve në vitin e ri. Kosova përballet me sfida dhe mundësi të rëndësishme, ndërsa ngërçi politik i tejzgjatur vetëm sa do ta vonojë përparimin. Një ton më i qetë dhe më i civilizuar midis palëve sesa ai që kemi dëgjuar në shkurt do të ndihmojë në krijimin e kushteve për dialog konstruktiv dhe stabilitet.

Cilat janë pritjet e Mbretërisë së Bashkuar nga formimi i institucioneve të reja?

 J.Hargreaves: Pritja kryesore e Mbretërisë së Bashkuar është që institucionet e reja të formohen shpejt dhe në mënyrë efektive. Një kuvend funksional është esencial për t’u marrë me prioritetet urgjente, duke nisur nga miratimi i buxhetit kombëtar për vitin 2026. Pa këtë buxhet, Kosova rrezikon të përballët me sfida financiare dhe operative të mëdha deri në fund të shkurtit. Pamundësia për t’i shpenzuar paratë publike do të kishte ndikim serioz në shërbimet publike dhe stabilitetin ekonomik, si dhe në jetën e shumë shërbyesve publikë të përkushtuar që duhet ta marrin rrogën në mars. Vizitat që i kam zhvilluar para ca kohe nëpër komuna ma kanë krijuar përshtypjen se janë qytetarët e rëndomtë që presin shërbime themelore ata që do të vuajnë më së shumti.

Populli i Kosovës ka të drejtë ta presë një qeveri të aftë për t’i përmirësuar mirëqenien, prosperitetin dhe sigurinë e tyre, si dhe që vendi i tyre të shihet si partner pozitiv dhe i besueshëm në rajon. Shpresoj që qeveria e ardhshme do të tregojë përkushtim të shtuar ndaj objektivave strategjike të Kosovës, duke përfshirë avancimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, përshpejtimin e përparimit në integrimin evropian dhe marrjen e masave aktive për ta forcuar përfshirjen e komuniteteve joshumicë. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në këto përpjekje, por vendimtare do të jenë vullneti politik dhe bashkëpunimi midis palëve. Institucionet që janë gjithëpërfshirëse, transparente dhe të përqendruara në ofrimin e shërbimeve për qytetarët do ta dërgojnë një sinjal të fortë – si në nivel vendi, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar – se Kosova është gati të ecën përpara.

Si e sheh Mbretëria e Bashkuar procesin e heqjes së masave nga Bashkimi Evropian për Kosovën

J.Hargreaves Mbretëria e Bashkuar e mirëpret njoftimin e Bashkimit Evropian për t’i hequr masat ndaj Kosovës deri në fund të janarit, duke ia lejuar këtij vendi që të ketë qasje në ndihmë financiare në vlerë prej disa miliona eurosh. Ky vendim do t’i japë shtysë edhe integrimit administrativ, ndërsa do ta rrisë besimin si në mesin e qytetarëve, ashtu edhe të partnerëve ndërkombëtarë, duke e përforcuar trajektoren evropiane të Kosovës.

Si e vlerëson Mbretëria e Bashkuar çështjen e sigurisë në Kosovë e sidomos në veri?

J.Hargreaves Vlerësimi i Mbretërisë së Bashkuar për situatën e sigurisë në Kosovë, posaçërisht në tërë veriun e Kosovës, është se ajo është “e qetë, por e brishtë”. Ne mbetemi të shqetësuar për tensionet midis komuniteteve dhe vazhdojmë ta inkurajojmë qeverinë e Kosovës në detyrë, komunitetet joshumicë dhe përfaqësuesit e tyre që të sigurohen që e tërë retorika dhe të gjitha veprimet e tyre të jenë në përputhje me parimet e sundimit të ligjit dhe t’i shmangen shkaktimit të përçarjeve të mëtejshme. Ne vazhdojmë të kërkojmë vetëpërmbajtje dhe dialog, ndërsa bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të ndihmuar në uljen e tensioneve. Kontributi ynë i vazhdueshëm në KFOR e pasqyron përkushtimin e paluhatshëm të Mbretërisë së Bashkuar për ta ruajtur paqen dhe sigurinë për të gjitha komunitetet në Kosovë.

 Kosova ka shënuar rënie në Indeksin e Reporterëve Pakufij, si e vlerësoni gjendjen e lirisë së shprehjes në Kosovë? / Eksponenët e Qeverisë në detyrë shpesh përdorin gjuhë të rëndë ndaj mediave; sa e rrezikon kjo ambientin e lirisë së shprehjes?

J.Hargreaves Mbretëria e Bashkuar pranon se Kosova ka bërë përparim në lirinë e shprehjes, por se ende ka sfida. Ne jemi të shqetësuar për ndërhyrjet politike në rregullimin e mediave dhe për ngacmimin me të cilin përballen gratë online dhe në diskursin publik. Jam zhgënjyer posaçërisht nga gjuha degraduese dhe seksiste që është i drejtuar një zyrtareje të zgjedhur në fillim të këtij muaji dhe gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore – që vetë në fokus ka pasur trajtimin e sfidave të reja nga dhuna online. Dokumentarët e fundit nga Kallxo, të cilët Mbretëria e Bashkuar i ka sponsorizuar, tregojnë qartë se ka forca armiqësore që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës nëpërmjet dezinformimit. Promovimi i gazetarisë së fortë dhe të pavarur dhe të garantuarit që zërat e grave të dëgjohen pa pasur frikë nga kërcënimet janë esenciale për mbrojtjen e demokracisë së Kosovës. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet për t’i forcuar këto masa mbrojtëse. Të gjitha vendet po përballen me sfida gjatë përpjekjeve të tyre për t’iu përshtatur një rrjedhe të shpejtë të informatave nga një mori burimesh, ndërsa Kosova nuk përbën përjashtim: transparenca, verifikimi i fakteve dhe njohuritë për mediat mund t’i ndihmojnë Kosovës që ta ruajë një peizazh pluralist mediatik dhe të mediave sociale, duke i mbrojtur njerëzit nga abuzimi dhe dezinformimi.

Cilat janë prioritetet kryesore të politikës së jashtme britanike në Kosovë?

J.Hargreaves Mbretëria e Bashkuar është shumë krenare për miqësinë e thellë që e kemi me Kosovën. Kryesimi i Mbretërisë së Bashkuar në Procesin e Berlinit gjatë këtij viti e ka dëshmuar rëndësinë që ne ua kushtojmë sigurisë dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kosova mbetet pjesë shumë e rëndësishme e strategjisë së Mbretërisë së Bashkuar drejt një rajoni të sigurt, stabil dhe të mbrojtur në kontekstin më të gjerë evropian. Do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë, institucionet dhe shoqërinë civile të Kosovës për t’i promovuar sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon, për ta luftuar së bashku ilegalitetin, i cili e dëmton si Kosovën, ashtu edhe Mbretërinë e Bashkuar dhe pjesën tjetër të Evropës, dhe për të krijuar lidhje ekonomike dhe kulturore më të forta, që i lidhin edhe më fort vendet tona. Mbetemi të përkushtuar ndaj të ardhmes euroatlantike të Kosovës, duke përfshirë rrugën e saj drejt integrimit në BE dhe NATO, ndërsa do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë për të siguruar paqe dhe prosperitet afatgjatë për të gjitha komunitetet.

A parashikoni thellim të bashkëpunimit Kosovë–Mbretëri e Bashkuar në fusha të reja?

J. Hargreaves: Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar gëzojnë partneritet të fortë dhe largpamës, që mbështetet nga zotimet tona të përbashkëta për tregje të hapura, rritje të qëndrueshme dhe vlera demokratike. Mbretëria e Bashkuar ka qenë ndër të parat që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon ta mbështesë zhvillimin sovran të saj, bazuar në vlerat dhe zotimet që janë mishëruar në Kushtetutën e Kosovës. Sot, të dyja vendet tona e shohin njëra-tjetrën si partnere strategjike gjatë punës së përbashkët në trajtimin e sfidave të sigurisë dhe ekonomisë së Evropës.

Partneriteti Britani-Kosovë është i fortë dhe po zgjerohet. Ne përherë kemi gëzuar marrëdhënie të ngushtë në fushën e sigurisë, të cilën synojmë ta thellojmë më tej për të ndihmuar në trajtimin e nevojave të ndërsjella në fushën e sigurisë. Ka potencial të madh për partneritet më të ngushtë në inovacionin digjital, në arsim dhe në fusha të tjera, ku mund t’u japim shtysë tregtisë dhe investimeve të ndërsjella, të cilat kanë qenë shumë të ulëta deri më tani.

Të ngjashme

Të fundit