Ambasadori amerikan në Varshavë, Mark Brzezinski, ka deklaruar se Polonia tani është një superfuqi humanitare dhe do të udhëheq rindërtimin e pasluftës në Euroazi, transmeton Anadolu.
“Ky është një moment katalitik që mund të ri-formojë jo vetëm Evropën Qendrore dhe Evropën Lindore, por të gjithë zonën euroaziatike”, tha Brzezinski në një konferencë të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Ai shtoi se rindërtimi i Ukrainës ndoshta do të kushtojë 1 trilion dollarë, duke theksuar se kjo do të krijojë mundësi.
“Polonia është 100 për qind e sigurt. Ne kemi mijëra trupa amerikane këtu. Dua ta theksoj këtë. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, më tha personalisht se NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të tokës polake”, tha ambasadori amerikan.
Biden vizitoi Poloninë në muajin shkurt në përvjetorin e parë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Siguria energjetike, tha më tej Brzezinski, është siguri kombëtare.
“Edhe para armatizimit të energjisë nga Rusia, Polonia po largohej nga varësia energjetike ruse. Ne në SHBA po mbështesim gazin natyror të lëngshëm, energjinë e erës dhe reaktorët e vegjël modular. Kompania ‘Westinghouse’ që punon në stacionin e parë të energjisë bërthamore të Polonisë është një partneritet historik që do të përcaktojë marrëdhëniet tona për dekada”, tha Brzezinski.
Washingtoni ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e sigurisë së Polonisë që nga lufta në Ukrainë. Në qershor të vitit 2022, Biden njoftoi ngritjen e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Poloni, e para në krahun lindor të NATO-s.
Varshava ka bërë blerje armësh nga SHBA-ja, përfshirë tanke “Abrams”, sisteme raketore “Patriot” dhe raketa-hedhës “HIMARS”. SHBA-ja po ashtu është burimi kryesor i gazit natyror të lëngshëm që Polonia po përdor për të zëvendësuar importet e furnizimeve ruse të energjisë.