19.3 C
New York
Friday, May 30, 2025

Buy now

Ambasadorët pa filtera me Kurtin: Të mos shesë moral, tokën e Manastirit u duk se e dha për arsye politike

Në konferencën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, ambasadorët e dy prej shteteve më të fuqishme evropiane dhanë disa mesazhe të qarta e të drejtpërdrejta për Qeverinë në largim të udhëhequr nga Albin Kurti. Ambasadori i Francës, Olivier Guerot, dhe ai i Gjermanisë, Jorn Rohde, kërkuan që Kosova të dëgjojë aleatët ndërkombëtarë dhe të përmbushë obligimet e saj në rrugën drejt integrimit evropian.

Porositë kryesore të ambasadorit të Francës, Olivier Guerot e atij të Gjermanisë, Jorn Rohde, ishin “dëgjoni miqtë” dhe “bëni detyrat e shtëpisë”. Megjithatë, brenda deklaratave të tyre kishte edhe mesazhe të tjera, raporton gazeta Nacionale.

Guerot gjatë kësaj paraqitje të tij, do të kërkonte nga Qeveria e Kosovës që mos ta izolojë vetën duke “shitur” moral e duke mos dëgjuar miqtë.

“Kosova nuk është ishull, është në mes të rajonit, që është pjesë e kontinentit. Kemi pasur takimin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë para dy javësh, Kosova ishte pjesë e asaj.

Nuk jeni të izoluar, përveç nëse e izoloni vetën. Si e izoloni vetën? Duke mos dëgjuar miqtë, duke “shitur” moral, duke gjetur të gjitha arsyet që mos t’u bindeni përkushtimeve. Kështu që lutja është: dëgjoni miqtë tuaj. Kaja Kallas ishte këtu, Costa ishte këtu. Ka takime të rregullta, në margjina të këtij takimi të Komunitetit Politik Evropian, ku pati edhe një takim bilateral mes presidentit Macron dhe presidentes Osmani: Vetëm dëgjoni ju lutem. Mos mendoni që kompromisi është një fjalëkryq” – tha ai, transmeton Nacionale.

Madje, ambasadori francez bëri një krahasim edhe me Shqipërinë:

“Mesazhi im i dytë, siç u tha nga të tjerët, ka një dritare të mundësisë për zgjerimin e BE-së tani. Duhet vullnet i mirë nga pala kosovare që ta përdorë më së miri këtë dritare, ka pasur disa të tjerë në të kaluarën, që ishin afër, nuk dua ta përsëriti. Ju e dini si ishte Shqipëria para 25 viteve. Nuk isha këtu, por kam folur me të tjerët, Shqipëria ka qenë katastrofë totale krahasuar edhe me Kosovën, edhe pas viteve të vështira që i kaloi Kosova. Tani cili shtet është në pragun e derës së BE-së? Është Shqipëria, jo Kosova”.

Jorn Rohde i Gjermanisë në anën tjetër, tha se falja e tokës për Manastirin e Deçanit dhe disa vendime të tjera nuk ishin kompromise, por detyra të shtëpisë.

“Shumë shkurt, përveç asaj që kolegu im Olivier tha. Sërish, unë thash diçka: ndryshojeni mendësinë. Ajo që Fatmiri la të kuptohet, si Deçani (Manastiri) dhe gjëra të tjera, këto nuk janë kompromise, janë detyra të shtëpisë. Janë detyra të shtëpisë për Kosovën që duheshin bërë. Dhe nëse nuk bëhen, është një çmim që duhet paguar”.

Këtu, ai theksoi se Qeveria Kurti vendosi për faljen e tokës në ditët e fundit kur parashihej të mblidhej Këshilli i Evropës, dhe ku pritej të diskutohej anëtarësimi i Kosovës.

Sipas tij, kjo la të kuptohet se vendimi nuk u mor për arsye të sundimit të ligjit, por për arsye politike.

“Unë kam qenë në Deçan me ambasadorë, 5 herë, me 20 ambasadorë…u bë ditën e fundit, vitin e fundit për Këshillin e Evropës. U bë në një mënyrë që nuk po e rriste besimin se ndodhi për arsye të sundimit të ligjit, por vetëm për përshtatshmëri politike.

Dhe kjo, është një valutë politike që Kosova duhet ta përmirësojë: besimin. Më pas, mund të ecim përpara dhe sërish, detyrat e shtëpisë janë ndryshe prej kompromiseve me Serbinë” – tha Rohde, transmeton Nacionale.

Të ngjashme

Të fundit