Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter, është takuar sot me përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së bashkuar pas sulmit terrorist në Banjskë që la të vdekur një polic të Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Carpenter në deklaratën e lëshuar ne emër të QUINT-it, ka thënë se dënojnë fuqishëm sulmet e dhunshme në afërti të Manastirit të Banjskës më 24 shtator që çuan në humbjen e jetës së policit kosovar, Afrim Bunjaku.
Në këtë deklaratë të përbashkët ata kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e policit kosovar në krye të detyrës dhe kanë kërkuar që autorët të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent.
QUINT në OSBE vlerëson koordinimin e ngushtë të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in për të garantuar sigurinë e civilëve dhe theksojnë se janë duke e monitoruar situatën nga afër.
Ambasadorët e këtyre shteteve në OSBE kërkojnë rikthim në Dialogun e BE-së dhe potencojnë se diplomacia është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme.
“Ne ritheksojmë angazhimin tonë për të ulur tensionet. Në këtë drejtim, prioriteti ynë mbetet ecja përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke filluar me kthimin në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Diplomacia është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme”, përfundon reagimi i QUINT-it.
https://twitter.com/USAmbOSCE/status/1707399842459173077?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1707399842459173077%7Ctwgr%5E72e46f050e4b7a00025f329149c51082b89b4e76%7Ctwcon%5Es1_c10&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fambasadoret-e-quint-ne-osbe-mblidhen-pas-sulmit-terrorist-ne-veri-dalin-me-qendrim-e-kerkesa-e-perbashketa-2%2F






