Në kuadër të bashkëpunimit të suksesshëm në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Zvicarane është zhvilluar platforma për punësimin e garantuar për të rinj.
Kjo platformë është donacion i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe projektit EYE për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve. Për këtë qëllim, Ministri Hekuran Murati priti në takim përfaqësuesin e Ambasadës Zvicerane z. Christophe Favre dhe përfaqësuesit e projektit EYE, për të parë bashkërisht prezantim e platformës së punësimit.
Gjatë takimit, Ministri Murati theksoi se punësimi është prioritet kyç i Qeverisë, e këtë po e dëshmojmë përmes politikave që në qendër kanë punësimin e qëndrueshëm për të gjitha kategoritë.
Në anën e tij, z. Christophe Favre u shpreh entuziast për projektin në fjalë, dhe konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e Qeverisë zvicerane për nisma të tilla që synojnë zhvillimin ekonomik e ngritjen e mirëqenies sociale.
Platforma për skemën e punësimit të garantuar për të rinj do të lancohet së shpejti nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.