Me mbi 99 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit prin me rreth 40 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22%, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me rreth 7%.
Për formimin e qeverisë, partia fituese duhet t’i ketë 61 deputetë, e që aktualisht asnjëra prej tyre nuk i ka. VV është shprehur e bindur se do ta formojnë qeverinë në mënyrë të pavarur.
Kurse partitë tash në opozitë, PDK dhe AAK kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me VV-në. Një mundësi e tillë ishte hedhur poshtë edhe nga LDK gjatë fushatës parazgjedhore.
Për domosdoshmërinë e koalicionit, ka folur edhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë kur u pyet për një bllokadë të mundshme të krijimit të institucioneve të reja.
“Derisa jemi ende në pritje të rezultateve përfundimtare, duket se po bëhet gjithnjë e më e qartë se në Kosovë duhet të formohet një qeveri koalicioni”, tha një zëdhënës i ambasadës për Express.
Ai shtoi se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte me të drejtë kur deklaroi se: “Ne u urojmë të gjithë politikanëve më të mirën në drejtimin e hapësirës politike dhe për të siguruar që një qeveri e qëndrueshme të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Bashkimi Europian dje lëshoi një deklaratë për zgjedhjet në Kosovë, për të cilat tha se sipas konstatimeve preliminare, ato kanë qenë të qeta dhe konkurruese me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, ndërsa e potencoi se është zbatuar ligji i ri zgjedhor.