Ambasada e SHBA në Tiranë e pyetur lidhur me mundësinë e ndryshimit të qëndrimit ndaj Sali Berishës dhe grupit te Gazmend Bardhit në përpjekje për tu bashkuar është shprehur se nuk kanë ndryshuar qëndrim në lidhje me non – gratat.
Gjithashtu në reagimin e ambasadës së SHBA u behet thirrje aktorëve politik që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet tyre me figura të tilla politike.
”Ambasada e SHBA nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me individët e shpallur non-grata dhe nxisim të gjithë aktorët të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla’’, është shprehur zëdhënësi i ambasadës në përgjigje të gazetës SOT.
Ky reagim erdhi menjëherë pas në media u fol se ka një tërheqje të amerikanëve ndaj Sali Berishës, pasi në reagimin e tyre për “Zërin e Amerikës” ata bënë thirrje për dialog sa më të shpejtë.
Në një farë mënyre u duk sikur ata njohën Sali Berishën si opozitën e vërtetë. Por mesazhi i ambasadës së SHBA për gazetën “SOT” e thotë shumë qartë se amerikanët nuk ndryshojnë qëndrim për “non-gratat”, pra për Berishën, i cili është sanksionuar nga Departamenti Amerikanë i Shtetit në vitin 2021 dhe sipas DASH, aktet korruptive të ish-kryeministrit minuan demokracinë në Shqipëri.
Pra ky mesazh rrëzon të gjithë entuziazmin e Sali Berishës pas reagimit të pak ditëve më parë të ambasadës së SHBA për “VOA”, ku ish-kryeministri po dilte në çdo studio duke thirrur se ndërkombëtarët i dhanë atij të drejtë dhe “i tërhoqën veshin” mazhorancës.
Madje ai ka përsëritur disa herë këto ditë se mbështetësit e tij kanë kontakte të vazhdueshme me SHBA.
“Përveç meje, bashkëpunëtorët e mi kanë komunikim të rregullt dhe të hapur me ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Unë e interpretoj si thirrje për mazhorancës për të mos bllokuar të drejtat kushtetuese të opozitës. Secila ambasadë bën formulimet e veta, por nuk mendoj kurrë që Shtetet e Bashkuara janë për një Parlament ku opozitës i mohohen të drejtat kushtetuese. Ata janë një shembull transparence”, theksoi Berisha.