Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, në shenjë solidarizimi me viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri, ka ulur flamurin në gjysmështizë. Veprimi i ambasadës amerikane është bërë në përputhshmëri me vendimin e Presidentes Vjosa Osmani dhe Qeverisë së Kosovës, për ta shpallur të mërkurën ditë zie.
“Duke njohur deklaratën e presidentes Vjosa Osmani se sot është ditë zie për viktimat nga tërmetet në Turqi dhe Siri, ne iu bashkuam Qeverisë së Kosovës në uljen e flamurit tonë në gjysmështizë në respekt dhe përkujtim për ata që humbën jetën nga kjo ngjarje tragjike”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.