Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka shpërndarë sot një pjesë nga delarata e Samitit treditor të NATO-s që u mbajt në korrik, gjatë të cilit u shënua edhe 75-vjetori i aleancës.
Në një pjesë të deklaratës së përbashkët të aleatëve të NATO-s, Kina konsiderohet “mundësuese vendimtare e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës” nëpërmjet mbështetjes në shkallë të gjerë për industrinë ruse në fushën e mbrojtjes.
“Deklarata e Samitit të NATO-s në Washington: Republika Popullore e Kinës është bërë një mundësuese vendimtare e luftës së Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet fjalinë të cilën ambasada amerikane e ka ndarë nëpërmjet një fotografie të publikuar në Facebook.
Përmbi të, Ambasada e SHBA-së shkruan: “Kinezët po bëjnë çmos për ta portretizuar veten si neutralë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Realiteti është se Kina ka marrë anë. Kina po ofron komponentë shumë kritikë me përdorim të dyfishtë për rusët”.
Megjithëse nuk i dërgon Rusisë ndihma të drejtpërdrejta ushtarake, Kina u konstatua se e ndihmon Rusinë duke i dërguar materiale me përdorim të dyfishtë, si pjesë të sistemeve të armatimit, paisje dhe materiale bazë që shërbejnë për ta ushqyer sektorin e mbrojtjes së Rusisë.