Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka publikuar disa fotografi që pasqyrojnë atmosferën festive brenda hapësirave të saj diplomatike, në prag të ndeshjes më të rëndësishme në historinë e futbollit të Kosovës që zhvillohet sonte në Prishtinë.
Në njërën prej fotografive të publikuara shihet e Ngarkuara me Punë në Prishtinë, Anu Prattipati, e veshur me fanellën e Kombëtares së Kosovës, duke simbolizuar mbështetjen për “Dardanët” para përballjes vendimtare.
Në prag të finales së play-offit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026, ambasada amerikane ka përcjellë edhe një mesazh inkurajues për futbollistët kosovarë.
“Nga të gjithë ne në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, po ju mbështesim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare!”, thuhet në mesazhin e publikuar.






