26.1 C
New York
Saturday, July 26, 2025

Buy now

Ambasada e ShBA-së bën thirrje për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e një qeverie të qëndrueshme

- Advertisement -

Në prag të skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë thirrje për përgjegjësi politike dhe respektim të rendit kushtetues.

Në një përgjigje dhënë për televizionin Tëvë1, Ambasada ka theksuar se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i përcaktuar nga Kushtetuesja, po afrohet dhe se është përgjegjësi e lidershipit politik që të veprojë në përputhje me këtë vendim.

“Vërejmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës rekomandoi konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve nga vendimi i saj, dhe kjo datë po afron. Është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të konstituojnë Kuvendin dhe të formojnë një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.

Më tej, Ambasada thekson përkushtimin e vazhdueshëm të SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj demokratike dhe për të bashkëpunuar me institucionet e ardhshme të vendit.

“Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur prej kohësh zhvillimin demokratik të Kosovës dhe mezi presin të punojnë me qeverinë e ardhshme për të çuar përpara stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin rajonal”, përfundon deklarata.

Ky reagim vjen në një kohë të ndjeshme politike në vend, pas dështimit të njëpasnjëshëm për konstituimin e Kuvendit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për arritjen e një marrëveshjeje mes subjekteve politike.

Të ngjashme

Të fundit