Mbretëria e Bashkuar beson se ka gjëra që Kosova dhe Serbia mund t’i mësojnë nga Marrëveshja e së Premtes së Mirë, e cila para 26 vjetësh i kishte dhënë fund dhunës së gjatë në Irlandën e Veriut.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, tha në një përgjigje për Gazetën Express se nuk ka asnjë model të tillë që mund të imponohet për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Mbretëria e Bashkuar mbetet plotësisht e përkushtuar për ta mbështetur Dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e së Premtes së Mirë u negociua dhe i ka qëndruar provës së kohës si rezultat i të gjitha palëve që demonstruan një përkushtim ndaj dialogut dhe pajtimit. Edhe pse ne besojmë se ka mësime që mund të mësohen nga ky proces i paqes, nuk ka asnjë ‘model të Irlandës së Veriut’ që mund të imponohet si një “zgjidhje për Kosovën””, thuhet në përgjigjen e ambasadës britanike.
I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach, e kishte përmendur Marrëveshjen e Belfastit si shembull për arritjen e pajtimit me respekt, lëshime dhe negociata.
Unë flas si një britanik për t’ia kujtuar audiencës se pas vitesh vërtet të vështira, 25 vjet më parë të dyja palët në Irlandën e Veriut u ulën dhe krijuan Marrëveshjen e së Premtes së Mirë dhe ajo i qëndroi kohës. Dhe ky është një mësim i mirë për pajtim. Pra, ka të bëjë me respektin, ka të bëjë me lëshimet, negociatat, por mbi të gjitha ka të bëjë me vazhdimin e dialogut”, deklaronte Peach më 4 mars, në një panel diskutimi për sfidat dhe mundësitë në Ballkan në Forumin e Diplomacisë në Antalya.
Britaniku u prit të enjten në Prishtinë nga krerët e shtetit. Në takimin me të, kryeministri Albin Kurti, siç njoftoi ZKM, “ndau me Lord Peach reflektimet e tij për vizitën që kishte në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, si dhe takimet në Irlandën e Veriut në fund të muajit shkurt të këtij viti”.
(Foto nga arkivi: Kurti gjatë takimit me Sekretarin e Shtetit të Irlandës Veriore, Chris Heaton-Harris në Kështjellën Hillsborough).