Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka ripërsëritur qëndrimin që Qeveria Kurti duhet ta mbajë jashtë politikën në emërimet në institucionet publike.
Ambasada e Britanisë së Madhe ka folur për Demokracia.com lidhur me emërimet politike të Qeverisë Kurti në bordin e “Ibër-Lepencit” dhe ndërmarrjen “Termokos”, aty ku është punësuar edhe ish-kryetari i LVV-së – Qendra Mitrovicë, Faruk Mujka.
Kjo ambasadë nuk ka pranuar të deklarohet specifikisht për të dy rastet, por ka ripërsëritur qëndrimin se Qeveria duhet ta mbajë politikën jashtë prej emërimeve në institucionet publike.
“Ne nuk duam të japim komente të mëtejshme publike përtej deklaratës sonë origjinale. Siç u përmend në deklaratë, presim që qeveria të përgjigjet dhe të rikonfirmojë përkushtimin e saj për emërimet që e mbajnë politikën jashtë institucioneve publike”, deklaroi për Demokracia.com një zëdhënës i ambasadës britanike.
Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile, në një komunikatë të përbashkët me ambasadën e Birtanisë së Madhe në Kosovë, i ka parë problematike emërimet në ndërmarrjet publike “Termokos” dhe “Ibër Lepenc”, ku në këtë të fundit është vënë në krye ish-kryetari i VV-së në Mitrovicë, Faruk Mujka.
Në të dy rastet, sipas komunikatës, të përzgjedhurit në krye të bordeve kanë bartur poste nëpër parti politike përbrenda 36 muajsh para datës së aplikimit në pozitat respektive, që bie në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
“Logjika e politizimit të ndërmarrjeve publike ngulfatë menaxhimin dhe zhvillimin e tyre dhe reflektohet në cilësinë e ofrimit të shërbimeve publike dhe rritjes së ekonomisë së vendit”, thuhet në komunikatën e përbashkët të tyre.
Për këtë i është bërë thirrje edhe Prokurorisë që të hetohen të dy rastet.