Altik Muhaxhiri është zgjedhur lojtari më i mirë i xhiros së 34-t të Superligës së Kosovës në futboll.
Portieri i Dukagjinit shkëlqeu në fundjavë duke e ndihmuar skuadrën klinase ta marrë një pikë të rëndësishme ndaj Dritës në udhëtim,
Përpos intervenimeve bravoroze, portieri gjakovar arriti ta priste edhe penalltinë e Marko Simonovskin, me ç’rast u bë hero i skuadrës mysafire.
Kjo është hera e dytë që ish-portieri i Vëllaznimit e merr çmimin “Ylli i Javës”, të cilin e ndan Federata e Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me sponsorin e saj, bankën BKT.
Dukagjini është duke luftuar për t’iu shmangur pozitës që dërgon në barazh dhe aktualisht e mban pozitën e gjashtë me 46 pikë, dy më shumë se rivalët direkt Drenica dhe Malisheva.
Deri në përfundim të edicionit 2021/22 në ligën elitare të futbollit kosovar kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe dy xhiro.