Real Madridi ka konfirmuar se Alonso ka firmosur një marrëveshje trevjeçare, që do të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025.
Karriera e tij si trajner nisi në akademinë e të rinjve të Realit, përpara se të shkëlqente me Bayer Leverkusen.
Në Gjermani, Alonso e udhëhoqi Leverkusenin drejt një sezoni historik pa humbje, duke fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë.
Suksesi i tij e ka kthyer atë në një nga trajnerët më të kërkuar në futbollin evropian.
Presidenti Florentino Perez është një admirues i kahershëm i stilit dhe filozofisë së Alonsos, gjë që ndikoi në rikthimin e tij në klub.
Sfida e parë për Alonson do të jetë Kupa e Botës për Klube në SHBA, që nis më 14 qershor 2025.
Në fjalën e tij të parë për tifozët si trajner i Realit, Alonso u shpreh i emocionuar dhe i motivuar për këtë aventurë të re.
“Përshëndetje madrilenë, jam këtu. Jam shumë i lumtur që e nis këtë aventurë të re me shumë shpresë dhe energji. Hala Madrid!”, tha ai.
Alonso rikthehet në klubin ku fitoi gjashtë trofe si lojtar, përfshirë edhe titullin e shumëpritur ‘La Decima’, duke sjellë entuziazëm dhe pritshmëri të larta për epokën e tij si trajner. /Telegrafi/