Ministri i Ambientit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka paralajmëruar shtim të kontrolleve dhe masa ndaj gurthyeseve ilegal.
Ai ka thënë se gjatë ditës së mërkurë janë bërë katër inspektime në rajonin e Prizrenit.
Aliu në një postim në Facebook, ka shkruar se koha kur jeta dhe shëndeti i qytetarëve rrezikohej nga operatorë dhe kompani të ndryshme që vepronin në mënyre ilegale ka përfunduar.
“Koha kur jeta dhe shëndeti i qytetarëve të Kosovës rrezikohej nga operatorë dhe kompani të ndryshme të cilat vepronin në mënyrë ilegale apo duke tejkaluar kompetencat e tyre ka kaluar. Shkatërrimi i natyrës, dëmtimi i shëndetit, pronës private dhe publike nga operatorët ilegal nuk është më e mundur. Në kuadër të këtyre parimeve, sot bëmë katër inspektime në terren në rajonin e Prizrenit dhe këto inspektime veçse do të shtohen në ditët në vijim, dhe kështu do të marrim masa ndaj secilit që do të shkel ligjin dhe vepron pa leje”, ka shkruar Aliu.