Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka mohuar se të premten është ndaluar nga KFOR-i për ta vizituar në zyrën e tij kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Për më tepër, Aliu ka deklaruar se KFOR-i i ka garantuar siguri gjatë përpjekjes së tij për vizitë. Ai ka thënë se ka qenë udhëzim i Policisë së Kosovës që të mos vazhdojë më tutje dhe që të shmangen tensionet.
“Lajmet se KFOR-i, më ka ndaluar që ta takoj Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, z. Lulzim Hetemi, janë të pavërteta. Përkundrazi, KFOR-i na kanë ofruar siguri, me një njësit të tyre që e kanë dërguar pikërisht për këtë qëllim. Në fakt, ka qenë udhëzimi i Policisë së Kosovës që mos të vazhdojmë më tutje, me qëllim që të shmangim tensionimin e situatës nga bandat kriminale që silleshin përreth”, ka shkruar Aliu.
“Spekulimet e tilla, i’u shkojnë për shtati vetëm bandave që janë të instaluara aty, njëherit këto lajme të pavërteta po ashtu po e zhvlerësojnë punën e palodhshme dhe profesionale që Policia e Kosovës po e bën atje. E falënderoj Kryetarin Lulzim Hetemi, për qëndresën e tij shembullore për Republikë, rend e ligj”, ka shkruar në fund ministri.