Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, i është gëzuar lajmit se Liburn Aliu, është emëruar si drejtor i Portit të Durrësit.
Kumbaro tha se nuk mund të kishte zgjedhje më të mirë se Aliu, derisa theksoi se Durrësi është porta e përbashkët drejt Adriatikut si për Shqipërinë dhe Kosovën.
“Shumë i bukur lajmi për emërimin e Liburn Aliut në krye të Portit të Durrësit! Përherë e kemi thënë se Durrësi është porta e përbashkët drejt Adriatikut si për Shqipërinë dhe Kosovën, prandaj nuk mund të kishte zgjedhje më të mirë për ta mishëruar këtë vizion e ndjesi, se sa Liburni, një atdhetar dhe funksionar i sprovuar publik, me të cilin si ish-Ministre e Mjedisit kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi gjatë kohës kur edhe ai drejtonte sektorët e mjedisit dhe planifikimit hapësinor si Ministër në Kosovë”, ka shkruar ajo, transmeton Klankosova.tv.
Fillimisht lajmin për emërimin e ish-ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e bënë të ditur mediat shqiptare.
Vendimi thuhet se u mor nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.






