Analisti Artan Alijaj ka vlerësuar se deklarimet e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe nënkryetarit të këtij subjekti ndaj Gjykatës Kushtetuese kanë qenë të rënda.
Ai ka thënë se në deklaratat e dhënë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie ngjasonin në një tubim elektoral.
Megjithatë, ai ka thënë se është fatkeqësi që po tentohet që Gjykata Kushtetuese të kthehet në një institucion politik.
“Fatkeqësia jonë ka qenë se që nga shkurti është tentuar që Gjykata Kushtetuese të kthehet në një institucion politik, pjesëtarë të procesit politik që nuk janë dhe është përgjegjësi e çdo politikani në këtë vend të tentojë t’i ruaj institucionet gjyqësore nga çdo lloj ndikimi i tillë, qoftë sa i përket besueshmërisë së publikut apo ndërhyrjes në punën e tyre”, ka thënë ai në Tëvë1.
Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes tha se Gjykata Kushtetuese po funksionin si hije politike e opozitës, ndërsa Glauk Konjufca tha se nëse ky institucion do t’i jepte Listës Serbe postin e nënkryetarit të Kuvendit do të ishte e rrezikshme dhe tradhti kombëtare.
E ndaj këtyre deklaratave ka reaguar edhe Gjykata Kushtetuese.
Por, sipas Alijajt edhe reagimi i Kushtetueses ishte i tepërt.
“Mendoj që ka qenë e tepërt ndoshta edhe deklarata nga Gjykata Kushtetuese, kryesisht ata nuk merren me deklarata politike. Ndoshta s’ka qenë i nevojshëm i reagimi, por me siguri kanë reagu, pasi Konjufca e ndërlidhi veprimin e tyre me tradhti kombëtare që është shumë e rëndë”, ka thënë ai.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator për konstituimin e Kuvendit, pas ankesës së Listës Serbe.
Kushtetuesja ka thënë se Kuvendi nuk është i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Nënkryetari nga komuniteti serb nuk është zgjedhur, pasi asnjë nga të deputetët e Listës Serbe, por as i vetpropozuar Nenad Rashiq nuk morën votat e mjaftueshme.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha kishte vlerësuar se Kuvendi është konstituuar pasi pika e 4 sipas tij, është ezauruar.