“Dafina ka pasur këngë, në të cilat ka pasur klikime nga vende si India…”
I ftuar sot në emisionin “Hap Ç’ju” me Visjan Ukcenaj dhe Cubi Metkaj në Top Albania Radio ka qenë Aldor Nini. CEO i ‘Acromax’ foli për një temë kaq shumë të përfolur të showbiz-it tonë, i blejnë artistët tanë klikimet në këngët e tyre apo jo? Jo vetëm që zbuloi shumëçka lidhur me këtë temë, por Aldor Nini zbuloi dhe emrat.
Pjesë nga intervista:
Visjani: Ti i njeh shumë mirë artistët shqiptarë, puna jote është e lidhur drejtpërdrejt me artin e muzikës, por kush është një artist që ti nuk e ke por do të doje ta kishe?
Aldor: Fillimisht që unë të vendos që do të doja të kisha një artist duhet të dija se sa lek bën ai artist, kështuqë kjo është pyetja 1 milion dollarëshe. Kanë dalë përpara shumë artist, shumë të famshëm, të talentuar, të cilët fshiheshin pas disa klikimeve indiane.
Cubi: E thënë troç, që blejnë klikime?
Aldor: Blejnë. Tmerrësisht shumë blejnë klikime dhe me ato klikimet e blera ka filluar edhe një trend i ri së fundmi, fillojnë edhe shesin katalogje.
Cubi: Si ishte kjo?
Aldor: Thonë unë kam bërë 100 milion klikime dhe vjen një kompani që i thotë “Unë të jap ty 500 mijë euro për të gjithë këngët e tua sepse ti qenke shumë i famshëm.” Do të thotë që me klikimet fallco ne arrijmë gjithashtu të mashtrojmë edhe kompani të huaja që të na japin lekë për katalogjet tona. Të kthehemi edhe njëherë tek pyetja pra është shumë e vështirë që të themi unë e dua këtë artist. Ai mund të jetë shumë i famshëm me klikime por në fund të ditës…
Visjani: Jo vetëm që nuk gjeneron financa me klikime sepse i ka blerë por ai ka bërë një mashtrim, ka shitur katalogun e tij artistik muzikor në një kompani të huaj, e cila mendon se është xhenuin. Kush është risku nëse dikush e bën këtë dhe a mund ti kthehet mbrapsht ‘boomerang’ kjo?
Aldor: Mund ti kthehet mbrapsht. Madje sot mora vesh që dy kompani që kanë punuar bashkë dhe kanë blerë këto lloj katalogjesh janë zënë me njëri-tjetrin dhe është bërë një lëmsh marramendës me këngët e artistëve përkatës. Janë edhe këngëtarë shqiptarë të përfshirë këtu, sidomos edhe shumë nga Kosova. Të cilët aktualisht janë diku në ajër sepse njëra kompani ka prishur kontratën me tjetrën. Njëra akuzon tjetrën për vjedhje.
Cubi: Cilët janë këta artistë?
Aldor: Kemi disa. Për shembull një nga artistet që e ka shitur katalogun kësaj kompanie është Dafina Zeqiri. Që e njohim. Të gjitha këto tani janë në një fazë migrimi nga një kompani në tjetrën. Dikush i ka të drejtat dhe dikush i menaxhon teknikisht. Bëhet një lëmsh i madh.
Visjani: Katalogu i Dafinës është xhenuin si katalog apo edhe ai është i implikuar me klikime fallco?
Aldor: Dafina historikisht nuk ka pasur klikime fake por ne te të gjithë artistët, ndoshta Dafina edhe vetë nuk e di sepse mund ti ketë bërë dikush.
Visjani: Sepse menaxheri mund t’ia ketë bërë…
Aldor: Menaxheri ose të tjerët mund t’ia kenë bërë por edhe Dafina ka pasur këngë, në të cilat ka pasur klikime nga vende si India, etj. Ka disa artistë që kanë më shumë, ka disa artistë që kanë më pak.