Albion Rrahmani po vazhdon të shkëlqejë me skuadrën e tij të re, Spartën e Pragës, duke treguar një tjetër paraqitje mbresëlënëse në kampionatin çek.
Sulmuesi 24-vjeçar dardan i cili u transferua gjatë afatit kalimtar veror nga Rapidi i Bukureshtit, po vazhdon formën e tij të mirë edhe në këtë kapitull të ri të karrierës.
Pas debutimit të tij të suksesshëm në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ku shënoi si zëvendësues në fitoren 2:0 ndaj Malmos, Rrahmani ishte titullar të shtunën në ndeshjen e xhiros së shtatë të kampionatit çek. Sparta e Pragës fitoi 2:0 në udhëtim te Hradec Kralove, me Rrahmanin që luajti një rol kyç në këtë fitore.
Albion Rrahmani e filloi ndeshjen me një asistim të shkëlqyer në minutën e tetë për Lukáš Haraslin, i cili shënoi golin e parë të ndeshjes, derisa në fund të pjesës së parë, Rrahmani shënoi golin e dytë për ekipin e tij, pas një asistimi të saktë nga anëtari tjetër i Kombëtares së Kosovës, Ermal Krasniqi.
Rrahmani u zëvendësua në minutën e 50-të, ndërsa Krasniqi u largua nga loja në minutën e 65-të.
Me këtë fitore, Sparta e Pragës vazhdon të kryesojë tabelën e kampionatit çek me 19 pikë pas shtatë ndeshjeve.
Albion Rrahmani është pjesë e listës së Fodës për dy ndeshjet e shtatorit kundër Rumanisë dhe Qipros në Ligën e Kombeve.