Këto janë vetëm disa nga deklaratat e Albin Kurtit, gjatë kohës sa ai ishte opozitar. Për vite të tëra, kryeministri aktual, ka qenë shumë i zëshëm kundër Zajednicës së komunave me shumicë serbe.
Si askush tjetër, Kurti nuk ka zgjedhur metodat për ta kundërshtuar këtë marrëveshje dhe as deklaratat për të treguar se sa e rrezikshme është për Republikën e Kosovës.
Gjatë një interviste të dhënë në verën e vitit 2015, Albin Kurti dhe partia e tij, Vetëvendosje, kishte folur pikërisht për këtë temë, duke drejtuar akuza të mëdha kundër kryeministrit të asaj kohe dhe koalicionit, PDK – LDK.
“Kryeministri (Mustafa) është në panik. E ka një detyrë jo vetëm të poshtër, por edhe shumë të vështirë që ta kthejë Serbinë në Kosovë në formën e kësaj Zajednice. Nga paniku i këtillë, i kryeministrit, po ndërsehet Policia e Kosovës kundër Vetëvendosjes, kjo përveçse është e padrejtë është edhe shumë e dëmshme, por besoj që kjo tregon shenjat e para se çka do të thotë Zajednica për Kosovën: Është një kthim i Serbisë, i cili do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm. Meqenëse, kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë, fëmijët tanë luftën e kanë te dera”, deklaronte Kurti.
Kurti, kërkonte reagimin e të gjithëve në atë kohë që të parandalohej Zajednica dhe të mos lejohej formimi i saj.
“Me këtë rast, jo vetëm kryeministri, por i gjithë populli i Kosovës, jo vetëm kryeministri, por gjithë Qeveria e Kuvendi i Republikës do të duhej të shqetësoheshin për të gjithë fëmijët e Kosovës, jo vetëm për familjet e tyre, sepse me Zajednicën te dera ne e kemi luftën te dera”, vazhdonte Kurti.
Opozitari Kurti ishte i bindur se Zajednica, që asokohe nuk pranonte kurrsesi ta quante Asociacion apo Bashkësi, do të sjellë luftën për brezin tjetër.
“Unë së paku kam shpresuar se ndoshta ky brezi ynë, që jemi gjallë tash, është i fundit që ka përjetuar luftë. Nuk ka brez shqiptarësh që nuk e ka përjetuar së paku një luftë. Ka breza edhe me nga dy-tri luftëra. Mirëpo, me këtë Zajednicë i garantohet lufta brezit të ardhshëm”, deklaronte me besim të plotë Kurti.
Pasi që disa herë e përmendi se Asociacioni nënkupton luftë, ai u pyet nga gazetari se “ndërmjet kujt do të bëhet kjo luftë?”, Kurti ha se “Zajednica e instaluar në Kosovë nuk do të mund të hiqet pa gjakderdhje të reja. Nuk do të mund të hiqet”.
Disa minuta më pas, gazetari insiston sërish të dijë se si do të provokohet gjakderdhja. “Duhet që ne ta luftojmë Zajednicën?”, pyeti gazetari, derisa mori përgjigjen e shpejtë nga Kurti.
Debati që zhvillohet në studion e Interaktivit për këtë pjesë:
Gazetari: Si do ta provokojë kjo gjakderdhjen? Duhet që ne ta luftojmë Zajednicën?
Albin Kurti: Gjakderdhja do të ndodhë, ta zëmë, në Novobërdë, në Artanë, ku popullsia është 60% serbëc, e 40% shqiptarë. Shqiptarët kanë qenë shumicë, mirëpo Plani i Ahtisaarit, ia ka marrë një pjesë Gjilanit dhe një pjesë Dardanës apo Kamenicës dhe e ka trefishuar territorin e Artanës apo Novobërdës, në mënyrë që serbët të bëhen shumicë. Tash, çka të bëjnë ata 40% shqiptarë të Artanës? Ata i kanë dy mundësi kur të instalohet Zajednica, ose të shpërngulen, ose të ballafaqohen me pushtetin e Zajednicës. Unë mendoj që dikush edhe mund të shpërngulet, por jam i bindur se dikush edhe do të ballafaqohet.
Gazetari: Ata janë pjesë e komunës së Artanës, do t’i shfrytëzojnë shërbimet e komunës së Artanës, e cila edhe ashtu aktualisht udhëhiqet nga një serb dhe shqiptarët atje i shfrytëzojnë shërbimet e komunës së Artanës…
Albin Kurti: Veçse tash, hyrja e Artanës në Zajednicë, praktikisht është bashkim me veriun e Kosovës. Sepse, kjo Zajednicë e ka bërthamën, e cila është Veriu, katër komunat. Zajednica formohet duke u zgjeruar me komunat tjera të Ahtisaarit, ku natyrisht që kryetari i Listës Serbe që është atje në Artanë do të hyjë në Zajednicë. Kjo do të thotë që gjendja e shqiptarëve në Artanë të jetë porsi, le të themi në Lagjen e Boshnjakëve, apo Lagjen Lumbardhi në Veri të Mitrovicës, te Tre Rrokaqiejt, e kështu me radhë. Ne e kemi edhe aktin terrorist ku u vra Selver Haradinaj. Atje, shqiptarët janë në disfavor sepse kanë mbetur pak pas dëbimeve që iu kanë ndodhur në shkurt të vitit 2000. Mirëpo, në këto viset tjera shqiptarët janë shumë dhe unë nuk e shoh se si do të mund t’i ikim fërkimeve, tensioneve të reja…
Gazetari: Pra, po thoni që shqiptarët nuk duhet ta durojnë pushtetin e Zajednicës?
Albin Kurti: Po nuk do ta durojnë, sepse nuk do të mund ta durojnë. Ju e dini që shqiptarët nuk e kanë duruar Serbinë dhe nuk do ta durojnë as Zajednicën. Këtë e duron vetëm kjo qeveri, në krye me këtë kryeministrin aktual (Mustafa). Dmth, nuk ka shqiptarë që e duron Zajdenicën dhe shteti i Kosovës do të bëhet jofunksional. /Demokracia/
⁰