Në intervistën e tij për revistën “Shenja”, Kurti ka folur për zhvillimet në vend, historinë e vendit dhe rrugëtimin drejt pavarësisë.
Por, kryeministri ka habitur me fjalët e tij për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili aktualisht është duke u mbajtur në paraburgim në Hagë.
Ani pse ishin kundërshtarë të fortë politik, Kurti ka thënë se Thaçi së bashku me Adem Demaçin dhe ish-presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, duhet të respektohen për kontributet e tyre.
“Në këtë kohë festimesh e përvjetorësh jubilarë, këto tre figura duhen kujtuar me respekt për kontributet e tyre të cilat kanë qenë sidoqoftë thelbësisht të ndryshme, edhe pse në të njëjtin drejtim: atë të pavarësisë së Kosovës. Pikërisht kjo është gjëja që i bashkon këto tre figura të ndryshme nga njëra-tjetra. Nuk më lejohet mua si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës të komentoj apo të bëj kritika ndaj personaliteteve historike, në kuadër të kontributeve të tyre për Kosovën. Le të merren me këtë gjë historianët. Unë e kam për detyrë t´i respektoj e t´u jem mirënjohës që secili ka dhënë aq sa ka ditur e mundur”, ka deklaruar Kurti.
Intervista e plotë:
Revista SHENJA: Kosova po i bën 15 vjet shtet. Çfarë nënkupton kjo për juve? A është realizuar ashtu siç e keni menduar ju, a është gjysma e asaj që ju e kishit si ideal apo është hapi i parë për realizimin e idealit tuaj?
Kurti: Kosova është ëndrra historike e popullit të saj, është ideali i shumë gjeneratave të dëshmorëve përgjatë 87 viteve nën pushtimin serb e jugosllav në shekullin XX. Sigurisht, aspirata kombëtare e shqiptarëve, që kanë qenë gjithnjë shumicë e madhe në Kosovë, ka qenë vetëvendosja demokratike dhe bashkimi me shtetin tjetër të shqiptarëve, Shqipërinë. Ky ka qenë edhe betimi i ushtarëve të UÇK-së, edhe dëshira e heronjve, që nga Shaban Polluzha e deri te Adem Jashari. Në këtë aspekt, natyrisht, nuk mund të thuhet se ideali është përmbushur. Por nga ana tjetër, historia na vendos edhe një imperativ tjetër. Përgjatë një shekulli të vetëm shqiptarët janë rrudhur në shtrirjen e tyre gjeografike, nga rreth 90.000 km2 ku ata jetonin, deri në vitet 1870, sot ata jetojnë në gjysmën e asaj hapësire. Janë spastruar prej sanxhakut të Nishit e të Leskocit, prej Toplicës e Vranjës. Po ashtu, janë spastruar prej Çamërisë apo edhe prej shumë pjesëve ku jetonin në vilajetin e Manastirit. Pra, imperativi tjetër me të cilin ballafaqohet secili politikan me ideale kombëtare sot është që në asnjë mënyrë të mos lejohet zvogëlimi i mëtejshëm i sipërfaqes sonë. Sigurisht, kërkesa të kohës sonë janë edhe demokracia, zhvillimi arsimor e kulturor, rritja ekonomike dhe ajo e mirëqenies. Mendoj se këto të gjitha përbëjnë vizionin tim për Kosovën. Për këto punojmë. A janë realizuar dëshirat tona? Jo, sepse po të qe ashtu, do të duhej të ndalej puna e përpjekja e të pushonim të gjithë. Nga unë nuk do ta dëgjoni kurrë parullën “Bac u kry!”. Por do të dëgjoni vazhdimisht thirrje që të punohet më shumë e të përpiqemi më shumë. Puna e përpjekja për rritjen e forcimin e Kosovës në të gjitha aspektet, nuk bën të ndalen, kurrë.
Revista SHENJA: Duke e ditur se në kuptimin intelektual jeni i frymëzuar nga Ukshin Hoti, kur e shihni këtë republikë sot, sa mendoni se kjo i ngjan republikës së projektuar në shkrimet dhe ligjërimet e tij?
Kurti: Profesori Ukshin Hoti është mendimtari e teoricieni kryesor vendor ku mbështetet programi politik i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e natyrisht edhe i qeverisë që u krijua pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 ku ne morëm një rezultat pa precedent. Adem Demaçi e kishte tërë jetën vepër, Ukshin Hoti e ka veprën përplot jetë. Sigurisht, profesori Hoti e mendimi i tij janë pasuri për të gjithë shqiptarët, dhe ne nuk e monopolizojmë atë, por dua të them se për ne është i rëndësishëm sepse kornizon programin tonë politik. Mund të citoj shumë pjesë nga traktati i tij i rëndësishëm “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, por do të kufizohem vetëm me dy maksima koncize. E para “Kosova nuk duhet të përbëjë përjashtim” dhe e dyta “Shteti në funksion të demokracisë”. Nuk dua të merrem fort me kritika ndaj paraardhësve të mi në këtë muaj festimesh e përkujtimesh e homazhesh, që fillon me pesëmbëdhjetëvjetorin e pavarësisë më 17 shkurt dhe vazhdon deri në njëzetepesë vjetorin e Epopesë së Jasharëve, që do ta kujtojmë në Prekaz dhe kudo ku ka shqiptarë. Por, le ta themi kështu, nëse deri dje theksi është vënë te Kosova si rast i veçantë, si rast “sui generis”, si një lloj laboratori për eksperimente të llojllojshme, përpjekja jonë është që Kosova të jetë dhe të konsiderohet një shtet si gjithë të tjerët. As me sovranitet absolut, as me sovranitet të kufizuar, por me një sovranitet të vërtetë e të ndërvarur në raport me ligjin e marrëdhëniet ndërkombëtare, si të gjitha shtetet e tjera. E, natyrisht, një shtet në funksion të demokracisë. Me krenari i publikojmë arritjet e qeverisë sonë, përparimet në indekset demokratike për zbatimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, transparencën, luftën kundër krimit. Do të hidhen hapa vendimtarë për principin e “Shtetit në funksion të demokracisë” kur të nisë punën edhe Byroja për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Pra, siç e shihni, shumë nga politikat tona janë të ndërlidhura me frymëzimet që rrjedhin nga Ukshin Hoti.
Revista SHENJA: A jeni optimist se ndonjëherë Serbia do ta njohë Kosovën apo, së paku, do të pranojë të heqë dorë nga Kosova? Kur kthehemi në histori dhe e shikoni raportin tonë me serbët, gjegjësisht me atë që ata e kanë quajtur shtet, a mendoni vërtet se ndonjëherë ne do të mund të arrijmë paqe me këtë shtet? Kur flas për marrëdhënien tonë me Serbinë, e kam fjalën për periudhën që nga “zakoniku” i Car Dushanit, “memorandumi” i Vasa Çubrilloviqit, “naçertania” e Ilija Grashaninit, “memorandumi” i SANU-s, dhuna, përdhunimet, shpërnguljet, kolonizimi, lufta e masakrat e viteve 1998-99, e deri më sot.
Kurti: Fakti se përgjatë gjithë historisë së tyre Serbia merret herë pas here e pandërprerë me shqiptarët, tregon dy gjëra. E para se ne gjithmonë kemi qenë këtu dhe, e dyta, se gjithnjë kemi rezistuar ndaj përpjekjeve spastruese, asimiluese apo hegjemone. Është për t´u krenuar që ne nuk e kemi kthyer me të njëjtën monedhë, e nuk ka pasur dhe as nuk ka projekte politike shqiptare për spastrimin, pushtimin apo asimilimin e serbëve. Ne shqiptarët qysh nga Rilindja jonë Kombëtare jemi të hapur ndaj bashkëjetesës e bashkëpunimit, nuk e kemi atë prirjen për diskriminime me bazë fetare ose gjuhësore që i kanë shumë ideologji nacionaliste të popujve fqinjë. Edhe minoritetet tek ne vazhdimisht janë trajtuar shumë më mirë. Madje sot, në Kosovë, minoritetet gëzojnë të drejta në përfaqësimin e tyre në nivel qendror dhe lokal që nuk i gëzojnë askund tjetër në Evropë. Ndër to minoriteti serb gëzon edhe të drejtën e vetos ose të drejtën për të pasur gjuhën e tyre gjuhë shtetërore të Kosovës, edhe pse janë vetëm 5%. Është e rëndësishme që, ashtu siç ua njohim ne ua japim të drejtat minoriteteve që jetojnë aty ku shqiptarët janë shumicë, edhe shqiptarët t´i gëzojnë këto të drejta atje ku nuk janë shumicë. Ka ikur koha kur dikush e sheh veten si popull të dorës së parë dhe shqiptarët si popull i dorës së tretë. Jemi në shekullin e demokracisë dhe punojmë për barazi.
A do të na njohë Serbia? Dy zgjidhje i ka: ose të shkojë pas Putinit ose të na njohë. E, në fakt, mendoj se është vetëm një opsion realist: që të na njohë. Në Serbi kam bindjen se ka një masë qytetarësh të cilët duan marrëdhënie normale fqinjësore, zhvillim dhe ecje përpara drejt Evropës së bashkuar. Pra, një grup që e dëshiron dhe e pranon njohjen e Kosovës. Por, aktualisht atje sundon pjesa tjetër, ajo që është e lidhur fort me Rusinë, me nëntokën ballkanike, me oligarkët, me autokracinë. Unë mendoj se megjithatë edhe në Serbi në fund do të fitojë kahja demokratike dhe Serbia do ta njohë Kosovën e do të kemi fqinjësi të mirë.
Revista SHENJA: Keni qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Adem Demaçit. Keni qenë, po ashtu, shumë aktiv edhe në kohën e politikës të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Keni qenë kundërshtar i rreptë i politikave të ish Presidentit dhe udhëheqësit të UÇK-së, Hashim Thaçi. I kam dy pyetje: E para, çfarë i bashkon këto tre figura dhe, e dyta, ku mendoni se ata kanë gabuar në procesin e shtetndërtimit të Kosovës?
Kurti: Në këtë kohë festimesh e përvjetorësh jubilarë, këto tre figura duhen kujtuar me respekt për kontributet e tyre të cilat kanë qenë sidoqoftë thelbësisht të ndryshme, edhe pse në të njëjtin drejtim: atë të pavarësisë së Kosovës. Pikërisht kjo është gjëja që i bashkon këto tre figura të ndryshme nga njëra-tjetra.
Nuk më lejohet mua si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës të komentoj apo të bëj kritika ndaj personaliteteve historike, në kuadër të kontributeve të tyre për Kosovën. Le të merren me këtë gjë historianët. Unë e kam për detyrë t´i respektoj e t´u jem mirënjohës që secili ka dhënë aq sa ka ditur e mundur.
Revista SHENJA: Gjatë luftës ishte dialogu në Rambuje, ndërsa tani është plani franko-gjerman, që vjen bashkë me Asociacionin. Ju në atë kohë nuk keni qenë në Francë, kanë qenë të tjerët, por pas 24 vjetësh Perëndimi, njëjtë si atëherë, shqiptarëve po u thotë se “Asociacioni nuk ju rrezikon”. Ju në mënyrë kategorike po e hidhni poshtë. Bashkë me ju po e hedhin edhe Presidentja dhe Kryetari i Kuvendit. Por, teksa ju po shpreheni unison, disi opozita ka rënë dakord. Pa dashur që këtë çështje ta shtrijmë me emra të përveçëm, në këtë rast me emrin tuaj, a po rrezikon Kosova shumë në mbajtjen e lidhjeve të fuqishme me Shtetet e Bashkuara apo ndoshta ka ardhur koha të thuhet hapur se “nëse jemi shtet, atëherë duhet ta respektoni edhe sovranitetin tonë”?
Kurti: Kosova ka institucionet e saj dhe ato e përfaqësojnë Kosovën ndërkombëtarisht. Në vendet normale, nuk bëhet opozitë duke kërkuar lëshime në aspektin territorial. Opozita megjithatë ka të drejtën e vet të shprehë bindjet që ka, por për t´i realizuar ato, ata duhet fillimisht të fitojnë zgjedhjet. E deri më tash nuk i kam parë as të kërkojnë zgjedhje.
Me Shtetet e Bashkuara kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe ka qenë gjithnjë e qartë prej tyre se e respektojnë sovranitetin tonë. Madje edhe na ndihmojnë për ta mbrojtur e forcuar sovranitetin. Nuk duhet keqkuptuar kur ata vijnë tek ne në pozitën e ndërmjetësuesit, sepse si ndërmjetësues natyrisht ata marrin kërkesat tona e i paraqesin në Beograd dhe marrin kërkesat e tyre e i paraqesin tek ne. Kjo është puna e ndërmjetësuesit dhe nuk është faji i tyre për kërkesat absurde e të papranueshme që vijnë ndonjëherë nga ana e Vuçiqit apo të tjerëve si ai. Por, ata nuk janë thjesht e vetëm ndërmjetësues. Janë edhe miqtë e partnerët tanë të pazëvendësueshëm, dhe një model zhvillimi demokratik e vleror që na frymëzon.
Revista SHENJA: Z. Kryeministër, për fund, nëse do të ktheheshit 25 vjet prapa, çfarë do t’i kishit sugjeruar atij djaloshit me flokë të gjata të demonstratave studentore?
Kurti: Gandi ka thënë se dallimi mes asaj që bëjmë dhe asaj që kemi mundësi të bëjmë do të mjaftonte për të zgjidhur çdo problem në botë. Por, nuk e kam menduar ende se çfarë do ta kisha këshilluar veten po të kthehesha pas në kohë. Kjo është pyetje që mbase do t´ia shtroj vetes kur të vijë koha për të shkruar kujtime. Tash për tash ai djaloshi ende vazhdon të veprojë, me flokë të shkurtra vërtet dhe me mbi 25 vite përvojë, por me të njëjtin zell e vendosmëri për të kontribuar, bashkë me kolegë, shoqe e shokë, që të kemi një shoqëri më të drejtë, një vend më të mirë, një komb më të respektuar. Asokohe frymëzimi im më i madh u bë familja heroike Jashari, të cilën do ta përkujtojmë me nderime të mëdha në 25-vjetorin e therorit të tyre. Çfarëdo sakrifice përballë tyre ngjan aq minore. Ata janë frymëzimi që bëhet obligim. Për brezin tonë dhe gjeneratat që do të vijnë.