Drita është këndellur pas një starti jo të mirë të sezonit, pasi tashmë ka marrë fitoren e tretë radhazi në Superligën e Kosovës.
Gjilanasit iu falën edhe një herë mesfushorit, Albert Dabiqaj, i cili i dha fitoren klubit bardhekaltër në minutat e fundit të takimit.
Drita fitoi 2-1 ndaj Malishevës, për të vazhduar formën e mirë në elitën e futbollit kosovar.
Ishte Drita që shënoi e para në këtë takim, në minutën e 67-të pas një penalltie të Besnik Krasniqit.
Penalltia u shkaktua nga portieri i Malishevës, Flamur Gashi në Arb Manajn, pas një përplasje në zonën e rrezikshme.
Megjithatë, në minutën e 80-të, i sapoinkuadruari në lojë, Xhemajl Ibishi shënoi për 1-1, pas një goditje këndi.
Që nga ajo minutë, Drita mori iniciativën për të gjetur golin e fitores, dhe në skenë doli i zakonshmi, Albert Dabiqaj.
Mesfushori shënoi për 2-1 në minutën e 86-të, pas një pune të jashtëzakonshme nga Liridon Balaj, i cili nuk u dorëzuar në një top të humbur.
Me këtë fitore, Drita shkon në kuotën e 14-të pikëve pas nëntë xhirove. Drita është e katërta momentalisht në Superligën e Kosovës.
Në anën tjetër, Malisheva mbetet në pozitën e gjashtë, ku ka dhjetë pikë.