22.5 C
New York
Saturday, June 7, 2025

Buy now

Alarmon KOMF: Fëmijët në Kosovë përballen me dhunë, diskriminim dhe mungesë shërbimesh

- Advertisement -

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ka ngritur alarmin për situatën e rëndë të të drejtave të fëmijëve në vend, duke bërë thirrje për reforma urgjente dhe investime të qëndrueshme në sektorët kyç që ndikojnë në jetën e fëmijëve.Sipas KOMF, megjithëse fëmijët nën 18 vjeç përbëjnë rreth 28% të popullsisë së Kosovës, “sistemi i brishtë i mbrojtjes sociale rrezikon mirëqenien dhe zhvillimin e tyre”.

Organizata thekson se skemat sociale janë kryesisht reaktive dhe jo parandaluese, ndërsa shtesat për fëmijë përjashtojnë fëmijët e moshës 16-18 vjeç, duke i diskriminuar ata.“Qëndrueshmëria financiare e shërbimeve sociale mbetet ndër sfidat kryesore, duke rrezikuar reduktimin e shërbimeve për fëmijët dhe mohuar të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutë”, thuhet në deklaratë.

Situata është veçanërisht alarmante edhe në aspektin e mbrojtjes nga dhuna. Të dhënat e fundit tregojnë se 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë forma të dhunshme të disiplinimit brenda familjes.Rreth 600 fëmijë jetojnë pa kujdes prindëror, ndërsa 5% e fëmijëve janë të përfshirë në punë të rënda.

KOMF kritikon moszbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ndonëse është miratuar që në vitin 2020, ende nuk ka gjetur zbatim të plotë.“Kapacitetet e limituara financiare dhe njerëzore kanë krijuar një sistem që menaxhon vetëm rastet më të rënda emergjente, duke neglizhuar masat parandaluese dhe mbështetëse”, thekson organizata.
Në fushën e arsimit, përfshirja e fëmijëve në edukimin parashkollor mbetet tejet e ulët. Vetëm 15% e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç ndjekin programe zhvillimore. Sfidat përfshijnë edhe rezultatet e dobëta në testimet ndërkombëtare, përfshirë Testin e Arritshmërisë dhe PISA, si dhe mungesën e qasjes për fëmijët me aftësi të kufizuara.“Vetëm 609 nga 1,044 institucione arsimore ofrojnë qasje fizike për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërsa numri i stafit mbështetës është i pamjaftueshëm”,thekson KOMF.
Gjendja është e rënduar edhe në sektorin e shëndetësisë, ku mungesa e sigurimeve shëndetësore bën që prindërit të përballen me kosto të larta për trajtimin e fëmijëve.Në të gjithë Kosovën, janë vetëm 7 psikiatër për fëmijë 10 specialistë të psikologjisë klinike dhe 2 psikologë klinikë në të gjithë vendin, ndërkohë që mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 në 16 vjeç dhe numri i përgjithshëm i përdoruesve të këtyre substancave ka kaluar 30,000.

“Kosova ende nuk ofron shërbime dhe programe parandaluese dhe rehabilituese për fëmijët dhe adoleshentët përdorues të këtyre substancave”, shton KOMF.Përballë kësaj situate, KOMF bën thirrje për ndërmarrjen e masave urgjente, përfshirë:
-Hartimi dhe zbatimi i politikave dhe programeve për mbështetjen dhe fuqizimin e familjeve, fuqizimin ekonomik; Miratimi i Ligjit të ri për Asistencë Sociale, largimi i kritereve diskriminuese për fëmijët; Reformimi i shtesave për fëmijë, rritja e shumës mujore dhe përfshirja e moshës 17-18 vjeç në kuadër të tyre;– Miratimi i Projektligjit për të Drejtat, Vlerësimin, Trajtimin dhe Njohjen e Statusit, Shërbimet dhe Përfitimet për Personat me Aftësi të Kufizuar;

-Themelimi i linjës telefonike falas për mbrojtjen e fëmijës dhe themelimi i shtëpive për mbrojtjen e fëmijëve sipas Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës;-Themelimi i shërbimeve dhe programeve për parandalimin e përdorimit të drogave nga fëmijët; Organizimi i ekipeve mobile në komunitet për identifikim, testim dhe mbështetje të rasteve të fëmijëve viktima të abuzimit me droga; Themelimi i shërbimeve për fuqizimin e prindërve për kujdesin dhe mbështetjen e fëmijëve gjatë rehabilitimit dhe re-integrimit;

-Rritja e burimeve njerëzore brenda institucioneve publike shëndetësore për shëndetin mendor;– Rritja e numrit të institucioneve parashkollore dhe e përfshirjes së fëmijëve në nivelin parashkollor;

-Rishikimi i planprogramit mësimor, rishikimi i kurrikulave dhe rishikimi i teksteve shkollore; Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve dhe mbështetja dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i tyre;– Rritja e numrit të mësuesve mbështetës, asistentëve mbështetës për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe sigurimi i qasjes fizike për ta, në shkolla;

– Themelimi i qendrave apo shtëpive të specializuara për trajtimin dhe rehabilitimin e fëmijëve në konflikt me ligjin, nën moshën e përgjegjësisë penale.“Fëmijët nuk mbrohen me fjalë – duhen veprime dhe investime konkrete për të garantuar një të ardhme të sigurt për çdo fëmijë në Kosovë”, përfundon deklarata e KOMF.

Të ngjashme

Të fundit