Shkruan: Kimete Berisha
Eman Rrahmani nuk lejon që fëmiu të lind pa babë. Zoti e ka lejuar lindjen e hazreti Isait pa babë, ama Emani nuk lejon.
Hazreti Ademi ka lindur pa prindër, pa pajtimin e Eman Rrahmanit…
Edhe profeti Muhamed është rritur pa prindër, ama Emani sot nuk lejon që dikush të lind pa prindër.
Mënyra se si duhet të jetojmë, të lindim a po jo, varet nga Eman Rrahmani!
- Të gjjtha gratë e Profetit Muhamed, përveç Aishes, ishin të veja dhe të divorcuara, të moshës mbi 40
vjeç, ama, Eman Rrahmani, nuk i lejon do gjëra…
Është shumë i vendosur.
(Nuk dua të flas për këtë temë, por, dua të them shkurt se sot në emër të fesë, që e keqinterpretojnë, këta meshkuj i kanë kompleksuar vajzat dhe gratë…).
- Ne kemi qenë një popull që njëri-tjetrit i kemi dhuruar edhe fëmijë (që janë quajtur fëmijë të falur),
e sot…burri me mjekër merret
me gratë e huaja se si duhet të lindin ato fëmijë…
dhe kush duhet të lind e kush jo! - Qe, pse censura është antidot për injorantët.
- As Besnik Bislimi nuk i lejon disa gjëra, por ky nuk përzihet në çështje të erosit.
Për fat, Besnik Bislimit ia ka marrë inat zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Për Bislimin ky është suksesi më i madh në karrierën e tij, sepse ka arritur ta nervozojë Peter Stanon, i cili sherri Bislimit po duket i anshëm, i papërmbajtur dhe emocional.
- Ndërsa Peter Stano, duke e tipizuar si të papërshtatshëm, e ka bërë Besnik Bislimin të duket faktor dhe kokëfortë, i paepur.
Askush s’është i interesuar për marrëveshje, sepse nuk ekziston asnjë mosmarrëveshje reale.
Prandaj, ‘konflikti’ mes Kosovës dhe Serbisë duket sot si shpikje e BE-së.
Ende pa e mbyllur një temë, BE e çel një temë tjetër, për dinarin…
Hajt, merruni vesh edhe për Mujo e Halilin…
Kur në vitin 2002 na e ‘imponuan’ Euron, na patën dhënë vurmak, neve as nuk na ka pyetur kush ‘a po tutësh” prej Euros, populli më i varfër në Evropë, i sapo dalë nga lufta, paguante salltanete evropiane…
Vala 900 – 60 centë minuti…
Ne jemi vjedhur nga anë e katër anët, s’ka lënë kush pa na vjedhur.
- Për dinarin ka folur me presidenten edhe ambasadori amerikan, Hovenier. Ambasadori po kërkon që të lejohet edhe për një kohë bartja e dinarëve me thasë nga Serbia në Kosovë.
Presidentja deri tani ia ka aprovuar ambasadorit vetëm kërkesën për thasë…
Kur ambasadori kërkon kohë për ta zbatur ligjin kundër krimit të organizuar, domethënë po lyp kohë që të vazhdojë ‘të lejohet krimi i organizuar’!
- O djalë!
- Edhe komunikimi i qeverisë me popullin është ‘katastrofë’.
Vivere pericolosamente.
Komunikimi i qeverisë është alarmist, por për personalitet alarmist shquhet sidomos ministri i mbrojtjes, Maqedonci, i cili është i prirë ‘for catostrophing’.
Nëse frika nuk është taktikë e qeverisë, por ti e ke nga depresioni, trego.
Kur vazhdimisht jep alarm të rrezikut për luftë, ti dëshiron të krijosh frikë kolektive, e frika kolektive pastaj dihet çfarë ngjall: dëshirën për një lider të fortë si Albini.
Ama fjala ‘katastrofë’ tek shqiptarët nuk ka kurrëfarë ‘vlere’, përdoret edhe kur të derdhet tambli:
shuj se katastrofë,
më zuri shiu pa çadër – shuj se katastrofë, mbeta pa buzëkuq…shuj se katastrofë, e kam harruar mobilin në shtëpi…katastrofë..
pra, s’di se si do ta trishtosh ti njeriun e trishtuar!
Aq ‘katastrofë’ është puna sa që ministri i mbrojtjes ka vendosur që krejt popullin t’i bëj ushtarë të tij.
T’i mësojë popullin se si ta mbrojnë ushtrinë e Kosovës në luftën me Serbinë që veç që s’ka shpërthyer…
Lufta do të fillojë para se ne të mësohemi të luftojmë…
Shih me çka merret ky!
E as nijet s’e ka kush të luftojë.
Bëje gazep sa të duash, askush s’të merr seriozisht, pos nëse do të mund të na mësoje ti neve se si të pasurohemi shpejt e shpejt…
dhe të kënaqemi në këtë jetë….
- E luftën kësaj radhe le ta bëj Maqedonci, që shyqyr që s’e di ai se sa e tmerrshme është lufta!
- Edhe opozita japin alarme të rrejshme të ‘katatrofës’.
Nuk e kanë asnjë ide…
Ata thonë që qeveria ka krijuar ‘probleme’ me ndërkombëtarët për t’i mbuluar skandalet e brendshme!
Cilat janë ato skandale?
Zbuloni skandalet, kush po ju ndal! - Hekuran Murati është takuar me ambasadorin e Katarit në Kosovë, me shpresë që edhe këtij si Xhelal Sveçlës ia falin një rolex.
Nuk i dihet fatit. U ftua në Katar!
Deri tani, Besnik Bislimi e ka marrë dhuratën më interesante, që edhe e ka deklaruar: një krypore.
Shumë muslimanë, në emër të Zotit, më kanë sharë, anipse unë jam e pafajshme…
Çfarë ka të keqe që kam propozuar që hoxha dhe këngëtarja të pajtohen mes vete….
- Po m’i harroni të mirat.
Ju e dini mirë, se kur para disa viteve hoxha ka kërkuar nga unë (me sms) që gjatë muajit Ramazan ta ndryshoj foton e profilit (se shumë provokative) dhe se deri në Bajram të mos postoj foto, për të mos i tunduar agjëruesit, pa i bërë dy fjalë e kam dëgjuar.
Se për mua më i madh është hatri se sa zori.
Dhe, prap jam e gatshme të dëgjoj!
- Nana ime ju ka lexuar.
P.S. Nuk ishte dashuri, ishte një shpresë…mbase e fundit!