Anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media (KPM) kanë thirrur mbledhje urgjente për ditën e sotme.
Një ndër pikat e rendit të ditës do të jetë shkarkimi i drejtorit të KPM-së, Jeton Mehmetaj dhe nënkryetarit Fatih Basha.
Sipas një emaili të dërguar nga anëtarja e KPM-së, Luljeta Aliu, thuhet se mos-thirrja e mbledhjeve një herë në muaj nga kryetari Mehmeti, përbën shkelje ligjore.
“Pas një diskutimi që kishim me kolegët Besnik Berisha dhe Fitim Veliu, kemi ardhur në përfundim se zgjedhja e kryesisë së re duhet të bëhet para se KMP të mbetet pa kuorum, gjegjësisht disa ditë para datës 20 janar, për t’u siguruar se ndonjëri nga ne nuk do të jetë me ‘grip’ apo mungojnë për ‘arsye’ tjera”, thuhet mes tjerash në letrën e Aliut.
Ndërkaq, Violeta Hyseni Kelmendi, ish-anëtare e KPM-së, por edhe Granit Musliu, po ashtu ish-anëtar i KPM-së, kanë thënë se nuk ka logjikë që të shkarkohen drejtuesit e Komisionit.
“Nuk ka asnjë logjikë që të zgjidhet kryetari e nënkryetari duke pasur parasysh që pas përfundimit të mandatit të Jetonit dhe Fatihut, komisioni mbetet me 3 anëtarë, gjë që e bën automatikisht jofunksional. Sikur në përbërje të Komisionit të kishte 7 anëtarë, do të ishte krejt normale që vet kryetari e nënkryetari t’i hapin rrugë kryesisë së re për të mundësuar funksionimin e Komisionit dhe vendimmarrjen në kohë zgjedhjesh”.