Një situatë e pazakontë është krijuar te Arsenali në prag të ndeshjeve ndërkombëtare, pasi pas William Saliba, edhe Gabriel Magalhaes është raportuar si i lënduar dhe nuk do t’i bashkohet Brazilit për përballjet ndaj Frances dhe Kroacisë.
Sipas raportimeve të gazetarit të njohur Fabrizio Romano, të dy mbrojtësit nuk do të udhëtojnë me përfaqësueset respektive, zyrtarisht për shkak të shqetësimeve fizike.
Megjithatë, në prapaskenë ka dyshime se këto “lëndime” mund të jenë më shumë masa paraprake nga klubi londinez, duke qenë se si Franca ashtu edhe Brazili do të zhvillojnë vetëm ndeshje miqësore.
Arsenali nuk dëshiron të rrezikojë lojtarët kyç në një moment vendimtar të sezonit.
Kjo ka shtuar spekulimet se klubi ka preferuar t’i mbajë lojtarët në Londër për t’i ruajtur për ndeshjet e rëndësishme që e presin në vazhdim, duke përdorur si argument gjendjen e tyre fizike.
Mbetet të shihet nëse do të ketë reagime nga federatat përkatëse, por për momentin, Arsenali duket se ka fituar këtë “betejë” të heshtur me kombëtaret.






