Ruzhdi Kurtishaj, pronari i Sharr Travel, kompanisë më të madhe turistike në Kosovë, ka ngritur një alarm serioz për atë që po ndodh me turizmin në Shqipëri. Ai paralajmëron se nëse vazhdohet me këtë trend të rritjes ekstreme të çmimeve, Shqipëria rrezikon të humbë përfundimisht shqiptaret e Kosovës, ata që sipas tij deri më tani kanë qenë shtylla kryesore e sezonit veror.
Sipas Kurtishajt, çmimet në hotele dhe resorte shqiptare kanë dalë jashtë çdo logjike, duke shkuar në nivele që nuk arsyetohen as me cilësinë e shërbimit dhe as me kushtet që ofrohen.
“Të paguash 300 euro nata për një dhomë pa shërbim të denjë dhe me produkte të lira në paketën all inclusive, është tallje me shqiptaret e Kosovës”, thotë ai.
Kurtishaj e quan këtë një autogol ekonomik nga ana e Shqipërisë, që po e shndërron një destinacion të dashur për kosovarët në një terren të papërballueshëm dhe të zhgënjyeshëm, raporton Front Online.
Ai paralajmëron se nëse nuk ndërhyhet urgjentisht, Kosova do ta kthejë sytë drejt Greqisë, Turqisë apo Bullgarisë, ku çmimi dhe cilësia ecin paralelisht.
“Shqipëria po e vret vetë turizmin e vet. Me këtë ritëm, sezoni tjetër mund të jetë shumë më i varfër dhe më i zbrazët,” përfundon Kurtishaj, duke i bërë thirrje autoriteteve dhe pronarëve të hoteleve që të reflektojnë para se të jetë tepër vonë.
Më tutje Kurtishaj tregon se gjatë muajit qershor Shqipëria pat një fillim jashtëzakonisht të mirë, duke u bazuar në ofertat e qershorit të cilat ishin jashtëzakonisht të favorshme, të pranueshme, të arsyeshme, në aspektin ekonomik për qytetarët e Kosovës, raporton Front Online.
Ndërkaq ndryshimi i çmimit për muajin korrik, sidomos pjesa e dytë e muajit korrik, që çmimet shkojnë në jug deri në 130 përkatësisht 150 euro varësisht nga akomodimi në dhoma me pamje nga deti, janë çmime jashtëzakonisht të larta, jo të justifikueshme, janë çmime që do ta dëmtojnë turizmin me Kosovën, do ta dëmtojnë turistin shqiptar të Kosovës, dhe janë çmime që qytetarët e Kosovës po i bëjnë të mendojnë alternativa tjera duke e pasur në pah Greqinë, e cila siç duket në pjesë e dytë të korrikut dhe gushtit do të jetë shumë atraktive për shqiptarët e Kosovës duke e pasur parasysh që hotelet, përkatësisht resorët e mirëfillta atje kanë zbritur çmimin deri ne 50%.
“Nëse e krahasojmë një çmim 150 euro në Vlorë krahasimisht me hotelet greke sigurisht që Greqia do të jetë atraktive për pushuesit e Kosovës. Thirrja ime është për resorët turistike në Shqipëri që të shikojnë me kujdes të madh çmimet me Kosovën, unë kam raporte të mia personale me hotelet, me shumicën prej tyre dhe ju bëjë thirrje që të jenë të arsyeshëm në ngritjen e çmimeve sepse akoma Shqipëria, përkatësisht turizmi në Shqipëri ka nevojë për ngritje të cilësisë dhe jo akoma pa ngritur cilësinë, të ngrisin çmimet dhe realisht t’i largojnë pushuesit” tha Kurtishaj, raporton Front Online.
Sipas tij, shqiptarët e Kosovës përbejnë një numër shumë të madh të numrit të përgjithshëm të pushuesve në Shqipëri, dhe me këtë ngritje të çmimeve sigurisht që shqiptarët e Kosovës gjatë pjesës së dytë të muajit korrik e ndoshta edhe gushtit do të largohen për shkak të çmimeve të larta, raporton Front Online.
“U bëjë thirrje që të shikojnë me kujdes çmimet, pra shqiptarëve të Kosovës që mbetet që në Shqipëri të shkojnë deri më 1 Korrik dhe pas datës 20-25 gusht kur edhe fillojnë të bien ofertat, kjo është e pajustifikueshme për mua personalisht, për kontributin tim, shoqatës që unë udhëheq dhe gjithë atyre që merren me promovimin e turizmit shqiptar. Për një periudhë të caktuar kohore, duke që vetëm veriu, përkatësisht Shëngjini , një pjesë e Shëngjinit dhe Velipoja do të jenë destinacione ku do të jenë të pranueshme për shqiptarët e Kosovës. Nuk është e kuptueshme se si arrin që këta të shesin hotelet tek polakët apo agjencitë tjera, unë e kuptoj që kanë arsye ekonomike për shkak të ditëve të qëndrimit, por nuk ka kuptim dhe nuk ka asnjë logjikë që shqiptarët e Kosovës të paguajnë çmimin 120-130 euro me konceptin all-incluzive kur unë e di çfarë shërbime ka në Shqipëri dhe çfarë shërbime ka në Greqi, çfarë konsumim të ushqimit ka në Shqipëri dhe çfarë ka në Greqi, sidomos te çështja e pijeve, Shqipëria çalon në këtë drejtim, pra të gjitha pijet nuk janë të kualitetit siç i ka Greqia, andaj duhet shikuar me kujdes të veçantë çmimet për pjesën e dytë të muajit korrik dhe muajin gusht. Përndryshe shqiptarët e Kosovës do të jenë në numër më të vogël në Shqipëri” përfundon Kurtishaj, raporton Front Online.