Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se vazhdon monitorimin e cilësisë së ujit të destinuar për konsum nga njeriu dhe se analizat laboratorike të realizuara gjatë javës së fundit kanë treguar përqendrime të manganit që tejkalojnë kufirin e lejuar.
Përmes një komunikate, IKShPK-ja ka apeluar tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije, deri në njoftimin e radhës.
Megjithatë, sipas institutit, uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës personale dhe për ambientet e banimit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) po vazhdon monitorimin e cilësisë së ujit të destinuar për konsum nga njeriu. Analizat laboratorike të realizuara gjatë javës së fundit kanë treguar përqendrime të manganit që tejkalojnë kufirin e lejuar prej 0.05 mg/L, sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2021 ‘Për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu’”, thuhet në njoftim.
Në zonën PR03-Badoc, gjatë periudhës 08.09 – 15.09.2025, vlerat maksimale të manganit të regjistruara në ujin e pijshëm kanë qenë si vijon:
Më 09 dhe 11.09.2025: 0.429 mg/L (Rr. Hyzri Talla) dhe 0.449 mg/L (Rr. Muharrem Fejza).
Më 15.09.2025: 0.117 mg/L (Rr. Enver Maloku).
“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije, deri në njoftimin e radhës. Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës personale dhe ambienteve të banimit. IKSHPK mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik dhe do të njoftojë me kohë qytetarët për çdo zhvillim të ri”, përfundon njoftimi i institutit.