Ronaldo pati paraqitje mbresëlënëse që nga fillimi i kësaj gare, duke e vazhduar atë deri në finale, për t’ia sjellë skuadrës së tij trofeun e parë, për diçka që vuajtën gjatë sezonit të kaluar, duke mos fituar asgjë.
Al Hilal kaloi fillimisht në epërsi me golin e Michael në minutën e 51-të, pasi asnjë gol nuk u shënua në pjesën e parë.
Al Nassr mbeti me një lojtar më pak, kur mbrojtësi Al Amri u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutën e 71-të.
Por vetëm tre minuta më pas ishte Cristiano Ronaldo që doli në skenë kur skuadrës së tij u nevojitej më së shumti, për të barazuar rezultatin në 1:1 pas një kundërsulmi të nisur nga portieri.
Koha e rregullt përfundoi me barazim, kështu që ndeshja shkoi në vazhdime.
Ronaldo ishte përsëri aty për skuadrën e tij, duke shënuar golin e përmbysjes së rezultatit në minutën e tetë të pjesës së parë të vazhdimeve, për 2:1, që në fund doli të ishte rezultati përfundimtar.
Por ndeshja për yllin portugez nuk përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi ai pësoi një lëndim në gjurin e tij krejt në fund të ndeshjes, që nuk dihet se sa do ta mbajë atë jashtë fushës.
Al Nassr me Ronaldon shpallen kampion të Kupës së Kampionëve për Klube Arabe, me titullin e parë në Lindjen e Mesme për pesë herë fituesin e Topit të Artë.