Pas më shumë se shtatë vitesh, kalvari ligjor i Teo Hernandez dhe akuzave të përdhunimit nga modelja ruse Luisa Kremleva kanë marrë fund. Një gjykatë në Malaga ka hedhur poshtë pretendimet e Kremlevas dhe e ka shpallur atë fajtore për dhënie të dëshmive të rreme, duke e dënuar me gjobë rreth 1500 paund dhe 6 muaj burg me kusht.
Në vitin 2017, Luisa Kremleva kishte akuzuar mbrojtësin e ekipit francez të futbollit se e kishte përdhunuar në makinën e tij Porsche, në parkingun e një klubi nate në Marbela. Ajo tha se, pasi kishte kryer marrëdhënie seksuale, ai e kishte hedhur me forcë jashtë makinës dhe kishte pësuar dëmtimet që i tregoi në polici si prova të përdhunimit.
Megjithatë, hetimet e mëtejshme dhe shqyrtimi i pamjeve të kamerave të sigurisë vërtetuan se marrëdhënia ishte konsensuale dhe se të dy kishin lënë makinën dhe ishin larguar miqësisht për t’u kthyer në klubin e natës. Dëmtimet që pretendonter Kremleva, u zbuluan të ishin shkaktuar nga një rënie aksidentale në tokë gjatë natës. Gjithashtu, mesazhet që ajo kishte dërguar treguan se ngjarja kishte marrë një tjetër drejtim pasi modelja u kishte kërkuar vazhdimësinë e takimeve, gjë që Hernandez nuk e kishte pranuar.
Çështja u kthye në një proces për shpifje dhe dëshmi të rreme, që u zhvillua gjatë gjithë këtij periudhe të gjatë, ku mungesat e vazhdueshme të modeles dhe avokatit të saj shkaktuan shtyrje të gjykimit.