Për herë të parë, ai tregoi versionin e tij lidhur me hetimet për kontrabandë kokaine, në të cilat emri i tij u përmend gjerësisht.
Në bisedë me gazetarin Eric Goens, Nainggolan mohoi kategorikisht çdo lidhje me drogën. “Nuk kam pasur kurrë të bëj me drogë, as nuk e kam prekur ndonjëherë”, deklaroi ai.
Nainggolan shpjegoi se u përfshi në hetime sepse kishte marrë hua nga persona të lidhur me mafian, për të mbuluar shpenzimet pas divorcit dhe borxhet e shkaktuara nga varësia ndaj bixhozit.
Ai theksoi se nuk kishte ditur që paratë do të përdoreshin për aktivitete të paligjshme dhe pranoi se kishte qenë naiv në zgjedhjen e njerëzve që i kishte besuar.
Avokatët e tij konfirmuan se Nainggolan ka bashkëpunuar plotësisht me hetuesit dhe është liruar me kusht — duke përfshirë ndalimin e daljes nga Belgjika dhe detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në prokurori.
Hetimet për rastin përfshijnë sekuestrimin e parave të mëdha, artikujve luksozë dhe drogës, ndërsa ishin të fokusuara te një rrjet i gjerë kriminal që sillte kokainë nga Amerika e Jugut nëpërmjet portit të Antverpit.
Në intervistë, Nainggolan pranoi varësinë ndaj bixhozit dhe problemet financiare, por këmbënguli se kurrë nuk ka qenë pjesë e ndonjë organizate kriminale.
“Isha naiv, por nuk jam kriminel”, theksoi ai, duke shtuar se prioriteti i tij është të mbrojë familjen dhe të provojë pafajësinë.
Ky nuk është rasti i parë i polemikave për Nainggolan. Në vitin 2021, pas rikthimit në Belgjikë me Antëerp, ai u ndalua nga policia për tejkalim shpejtësie dhe humbi patentën për 15 ditë.
Gjithashtu, gjatë karrierës në Itali, ai është kritikuar për videot që e tregonin duke konsumuar alkool dhe duhan.
Së fundmi, ai ka përmendur se partneri i tij më i mirë për festime gjatë kohës te Interi ishte kroati Marcelo Brozović.
“Ai ishte i pakrahasueshëm për daljet në mbrëmje. Në fund të natës, nuk e njihnim më njëri-tjetrin”, delaroi Nainggolan.