Akuzat për abuzim seksual kanë dominuar titujt e gazetave dhe kanë tronditur një industri të gjallë filmi në shtetin jugor indian të Keralas. Një sërë akuzash për abuzim seksual kundër disa yjeve kryesorë meshkuj kanë dalë në dritë, pas publikimit javëne kaluar të një raporti historik që shqyrtonte problemet me të cilat përballen gratë në industri. Industria, e cila realizon rreth 150-200 filma në gjuhën malajalame në vit, është një biznes jetik dhe i gjallë që ka bërë që disa nga kinematë progresive më të vlerësuara nga kritika të dalin nga India.
Por raporti prej 290 faqesh nga një panel tre anëtarësh, i quajtur komiteti Hema, detajoi problemet me të cilat përballen gratë në kinemanë malajalame, duke përfshirë kushtet e këqija të punës dhe ngacmimet e shfrenuara seksuale. Pjesë të raportit janë redaktuar për të fshehur identitetin e të mbijetuarve si dhe të akuzuarve për ngacmim. Që nga publikimi i tij, një numër grash, disa prej të cilave tani kanë hequr dorë nga aktrimi, kanë folur publikisht për përballjen me sulmet seksuale dhe ngacmimet në industri.
Dhjetëra kallëzime në polici janë bërëkundër disa yjeve meshkuj, dy prej të cilëve kanë bërë edhe kundër-ankesa. Tronditja ka qenë aq e madhe sa i gjithë organi më i lartë qeverisës i grupit më të madh të filmit në shtet, Shoqata e Artistëve të Filmit Malajalam (AMMA), u shpërbë pasi presidenti i saj, superylli Mohanlal, dha dorëheqjen për “baza morale” pasi disa anëtarë u përballën akuat. “Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Vetëm disa kanë folur deri tani. Mund të shfaqen çështje më serioze”-tha aktori Mala Parvathy për BBC Hindi. Reagimet ndaj raportit të parë të këtij lloji po ndiqen nga afër nga njerëzit në shumë industri të filmit të Indisë, duke përfshirë Bollywood-in. Gjatë lëvizjes #MeToo, disa gra kishin bërë akuza për ngacmime seksuale kundër aktorëve dhe kineastëve në shtete të ndryshme, por pak prej tyre janë hetuar.