Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se akuzohet për përpjekje në krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, ai theksoi se, po të kishte dashur një gjë të tillë, do ta kishte bërë vite më parë, kur ishte në krye të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Ahmeti tha se kishte pasur mundësinë të nënshkruante një dokument që ishte kundër ideve për një Maqedoni të Veriut multietnike, duke përmendur edhe Lupço Georgievskin, ish-kryeministrin e këtij shteti.
“Mua më akuzojnë se luftoj dhe punoj për Shqipëri të Madhe. Po të doja, Maqedoninë e Veriut do ta ndaja kur kisha 15 mijë ushtarë. E kam pasur elitën më të fortë të shqiptarëve të kombit – Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.”
“E kam pasur dokumentin përpara, mjaftonte vetëm ta nënshkruaja dhe të ulesha me Lupço Georgievskin, të cilin e respektoj sepse ai thotë atë që mendon. Ai, atëherë dhe sot, nuk e ka ndryshuar qëndrimin: është kundër shteteve multietnike. Filozofia ime është e kundërt me filozofinë e tij.”
Ahmeti tha se ende beson, ashtu si më parë, që Maqedonia e Veriut mund të bëhet Zvicra e Ballkanit Perëndimor.
“Unë kam jetuar në Zvicër dhe e di si funksionon një shtet me katër kombe. Pse të mos funksionojë edhe Maqedonia e Veriut? Që nga viti 2001 kam thënë se ky shtet mund të bëhet Zvicra e Ballkanit Perëndimor.”
“Assesi nuk jam penduar. Unë jam për një Maqedoni unike, për një Maqedoni ku të gjithë popujt janë të barabartë. Jam për një Maqedoni anëtare të Bashkimit Evropian. Jam për heqjen e kufijve,” u shpreh Ahmeti