Aktorja britanike fituese e çmimit “Oscar”, Olivia Colman tha se do të ishte paguar shumë më shumë për filmat e saj nëse do të ishte burrë.
Olivia deklaroi se: “Unë jam shumë e vetëdijshme se nëse do të isha Oliver Colman, do të fitoja shumë më tepër. Jam e vetëdijshme për një pabarazi pagash. Hulumtimet sugjerojnë se gratë kanë qenë gjithmonë aktore të suksesshme që shumë njerëz do të paguanin për t’i parë. Aktorët meshkuj paguhen më shumë sepse ekzekutivët mendojnë se ata tërheqin audiencën. Dhe në fakt kjo nuk ka qenë e vërtetë për disa dekada. Por, ata duan ta përdorin këtë si një arsye për të mos paguar gratë aq sa homologët e tyre meshkuj, veçanërisht në industrinë e filmit”.
Colman iu bashkua Listës A të Hollivudit në vitin 2019 kur fitoi çmimin “Oscar” për ‘Aktoren Më Të Mirë’ për rolin e mbretëreshës Anne në filmin “The Favourite” dhe që atëherë ka pasur dy nominime të tjera. Së fundmi, ajo u shfaq në filmin “Wonka” dhe pritet të shfaqet në filmin e ardhshëm “Paddington In Peru”.