Në nderim të kujtimit për presidentin e ndjerë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe për të shënuar ditëlindjen e tij, Liga e Veteranëve të Futbollit të Kosovës, me mbështetjen e Federatës së Futbollit të Kosovës, organizon një aktivitet përkujtimor. Ky aktivitet do të mbahet më 23 korrik në Kampin Nacional në Hajvali, duke filluar në orën 17:30. Gjatë këtij aktiviteti, do të zhvillohen dy ndeshje të veçanta: Në ndeshjen e parë, do të përballen Veteranët e Prishtinës dhe Veteranët e Llapit, derisa në ndeshjen e dytë, do të luajnë Veteranët e Kosovës kundër një ekipi të përbërë nga përfaqësues të Qeverisë dhe Kuvendit.
Paraprakisht ekipet pjesëmarrëse do të bëjnë homazhet për Fadil Vokrri në orën 16:30 tek shtatorja pranë stadiumit që mban emrin e tij.
Pas përfundimit të ndeshjeve, do të mbahet edhe një koktej rasti në Kampin Nacional, për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm që Fadil Vokrri ka dhënë për futbollin mbarëkombëtar.
Të gjithë ish-futbollistët, miqtë, dashamirët dhe familjarët e Vokrrit janë të mirëseardhur në këtë aktivitet për të nderuar së bashku veprën dhe karrierën e Legjendën së futbollit, Fadil Vokrri.