Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese s’ia la shenjë Vetëvendosjes e cila vazhdoi praktikën dhe metodën e njëjtë përmes Kryesuesit të vet të seancës konstitutive, Avni Deharit. Ose votim të fshehtë ose hiç është qëndrimi i Vetëvendosjes e cila s’ka shumicë parlamentare dhe s’i pranon zgjidhjet e ofruara nga partitë politike për ta zgjedhur një kandidat që ka vota – e që janë 40 emra të deputetëve të tyre. Albulena Haxhiu është shndërruar në mundësinë e vetme për të pasur Kuvend. Ose ajo, ose s’ka. Dhe, vetëm me votim të fshehtë, ose s’ka. Në dritën e kësaj Partia Demokratike të Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushteutese sërish për të saktësuar në mënyrë paeukivoke atë çfarë kanë vendosur në Aktgjykimin e fundit, dhe të cilën Vetëvendosja e lexon në lente të veta. Qe çka kërkoi PDK-ja:
Të shpallet vendimi i Kuvendit për Komisionin për Votim të Fshehtë si jokushtetues.
Të shpallet ndërprerja e seancës si jokushtetuese.
Të urdhërohet vazhdimi i seancës konstituive me votim të hapur, sipas praktikave të mëhershme.
Të konstatohet se dështimi në zgjedhjen e Kryetarit nuk çon automatikisht në zgjedhje të reja.
Janë këto katër pika kryesore që avokati Faton Fetahu i Partisë Demokratike të Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i konstatojë. Kjo në sfidimin e radhës pas mos-bërjes-hesap të Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje dhe vazhdimit me të njëjtën metodë për votim-të-fshehtë që s’ka vota.
PDK argumentoi se Aktgjykimi i 26 qershorit 2025 i Gjykatës ndaloi ndryshimin e rendit të ditës të seancës konstituive dhe hodhi poshtë të ashtuquajturin Komision për Votim të Fshehtë. Avni Dehari – aq më keq për Aktgjykimin – veproi kundër këtij aktgjykimi duke kërkuar themelimin e Komisionit dhe duke ndërprerë sërish dhe në arbitraritet serik seancën konstitutive.
Fetahu argmentoi se grupi më i madh parlamentar (LVV) ka shkelur detyrimin për bashkëpunim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, sipas nenit 67 të Kushtetutës; dhe se kjo ka çuar në bllokimin e konstituimit të Kuvendit.
Më tej u kërkua nga Gjykata Kushtetuese të sqarojë detyrimet e grupeve parlamentare lidhur me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve, për të parandaluar barazvlerësimin e këtyre proceseve, i cili mund të shërbejë si mjet i ri për bllokimin e Kuvendit nga Vetëvendosja, indikacionet e cila veçse i ka dhënë Albin Kurti.
Fetahu argumenton se veprimet e Vetëvendosjes shkelen nenet 65(6), 67(2), 74 dhe 76 të Kushtetutës, si dhe aktgjykimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese (KO124/25).
Për atë se Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e fundit nuk ka saktësuar se çfarë ndodh pas detyrimit 30 ditor të konstituimit të kuvendit, PDK kërkoi që të konstatohet se nuk çohet në zgjedhje të reja.
“V. TË KONSTATOJ se dështimi në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe apo Nënkryetarëve të Kuvendi nuk shkakton mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare;”, thuhet në sfidimin e PDK-së.