Opinionistja Aida Dërguti në emisionin Rubikon në Klan Kosova komentoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i cili i jep kohë Kuvendit të Kosovës 34 ditë shtesë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Dërguti ‘ironizoi’ duke thënë se vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese janë sikur në futboll duke dhënë vetëm kohë shtesë. Sipas saj, këto vendime shkojnë në favor të pushtetit.
“Ka kohë që Gjykata Kushtetuese e sheh politikën Kuvendin dhe zhvillimet si lojën e futbollit për të cilën i vetmi vendim që merr është koha shtesë. Do thotë, koha shtesë edhe gjatë vitit të kaluar koha shtesë edhe tani të cilat shkojnë në favor të pushtetit. Procedura 60 ditore, do thotë 60 ditë janë në dispozicion së pari të negocimit se në fund të fundit ajo është një seancë e cila i ka tri raunde të votimit. Pra, kjo është pika finale kur përmbyllet krejt ky proces i zgjedhjes së presidentit”, tha fillimisht Dërguti.
Tutje, Dërguti tha se ky aktgjykim lë në pikëpyetje edhe çështjen nëse presidentja Vjosa Osmani do të duhej të lironte zyrën me 5 prill.
“Do të kishte pasur kuptim ky arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimit të Kuvendit, nëse ai që ka dalë i pari i ka 30% dhe koha që nga dita e daljes së rezultateve zgjedhore do t’i duhej të vraponte për formimin e koalicionit qeveritar dhe sigurimit të votave. E kemi pa që Kurti që në fillim ka thënë së pari Kuvendi pastaj Qeveria pastaj marrëveshjet ndërkombëtare dhe në fund çështja e presidentit. Ishte e qartë që votat për Qeveri i ka, dhe e vetmja pjesë problematike ka qenë zgjedhja e presidentit e cila kërkon përtej votës që i ka partia në pushtet. Sidoqoftë, ky precedent që jep 34 ditë shtesë dhe që janë afat para se presidentja ta përfundojë mandatin a nënkupton kjo që Vjosa Osmani i ka 34 ditë shtesë të qëndrojë në zyre? Duket si ngrirje e kohës, pra Osmani nuk obligohet të dalë nga zyra me 5 prill sepse 34 ditë shtesë do duhej t’i ishin dhënë edhe asaj në qëndrimin në zyrë”, tha Dërguti.






