Prokuroria Themelore në Pejë, ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj 10 zyrtarëve komunalë në Pejë dhe një gjeodeti, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe konflikt interesi.
Prokurorja në Prokurorinë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, në një konferencë për media të mbajtur të premten dha detaje.
“Pas një procesi hetimor pothuajse 2-vjeçar kanë përfunduar hetimet në çështjen penale kundër zyrtarëve komunalë në komunën e Pejës. Rezultat i hetimit intensiv në koordinim më Policinë e Kosovës ka rezultuar me ngritjen e aktakuzës ndaj 11 personave, prej tyre 10 zyrtarë komunalë, katër janë drejtorë të drejtorive komunale, 2 udhëheqës të sektorëve të drejtorive përkatëse, 2 inspektorë të ndërtimit, një zyrtar gjeodet, pranë Drejtorisë për kadastër dhe gjeodezi si dhe një gjeodet i licencuar pranë Agjencionit Kadastral të Kosovës”, ka theksuar ajo.
Ajo ka thënë se mbi 11 të pandehurit rëndojnë 23 vepra penale, të cilat sipas saj, bien në kapitullin e veprave penale të korrupsionit zyrtar.
“21 vepra janë keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar ndërsa dy vepra janë konflikt i interesit”, ka deklaruar Vuçetaj.