Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër një personi për shkak të “dyshimit të bazuar mirë” se ka kontrabanduar migrantë.
Sipas Prokurorisë, në nëntorin e vitit 2024, U.K. i kishte marrë jashtë vendkalimit kufitar Kosovë-Shqipëri dy shtetas egjiptianë, një merokien dhe një sirian, të cilët do t’i transportonte deri në pikën kufitare Kosovë – Serbi.
Transporti i tyre, sipas aktakuzës, po bëhej me një veturë të cilën ai e kishte marrë me qira nga një ‘rent a car’.
“Sipas aktakuzës, me datë 19.11.2024 afërsi të vendkalimit kufitar të Vërmicës, i pandehuri U.K., merret me kontrabandim me migrantë me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të dobisë financiare ose të dobisë tjetër pasurore nga hyrja e paligjshme e personave në Republikën e Kosovës, të cilët nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që para ditës kritike pikërisht me datë 14.11.2024 merret vesh me personin e quajtur “A.”për kohën se kur hyjnë migrantët në Kosovë, dhe në ditën kritike fillimisht i pandehuri nga rent a car “Z.” merr me qira një automjet “Golf 7”, me të cilin automjet në orët e pasdites niset në drejtim të pikës kufitare të Vërmicës, me ç ‘rast kur arrinë në destinacion, fillimisht i pret të dëmtuarit të cilët në mënyrë të kundërligjshme jashtë vendkalimit kufitar kishin kaluar vijën kufitare Kosovë – Shqipëri, merr në automjetin e tij të dëmtuarit: A.(A).F.- shtetas marokien, M.(W).R. -shtetas sirian, L.(M).A. -shtetas egjiptian, dhe I.(S).A.,- shtetas egjiptian, të cilët në këmbim të dobisë pasurore ka pasur t’i transportojë deri në pikën kufitare Kosovë – Serbi. Gjatë transportit të të njëjtëve, i pandehuri U.K., ndalohet nga policia ku në automjetin e tij janë hasur edhe të dëmtuarit e lartcekur, dhe për shkak të ndalimit nga policia nuk kanë mundur t’i japin të pandehurit dobinë pasurore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria kërkon që U.K të shpallet fajtor dhe të dënohet.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.